Zyra e Kryeministrit

U mbajt pritja shtetërore për ekipin olimpik që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

6 Gusht, 2024

 

Prishtinë, 6 gusht 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori sonte pjesë dhe mbajti fjalimin kryesor në pritjen shtetërore të organizuar për nder të kampionëve dhe ekipit tonë olimpik të cilët kanë përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024.

“Të nderuar të pranishëm që keni ardhur këtu, me gëzim dhe krenari të mirëprisni ekipin tonë olimpik. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ne emër të gjithë qytetarëve tanë, kam nderin t’ju përgëzoj për sukseset tuaja dhe t’ju uroj mirëseardhje për kthimin me plotë krenari në shtëpinë tuaj. Për pjesën e ekipit e cila ndodhet ende në Paris, ju presim krahëhapur në Kosovën tuaj të dashur”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se dikur dukej imagjinare ta mendosh se Kosova triumfon para shteteve – që janë fuqi botërore, por tani ky fakt është bërë realitet bindës, të cilin të gjithë ne po e gëzojmë.

“Ky vend të cilin ju e bëtë krenarë, do të mbajë gjithmonë të hapur rrugën tuaj për të shkuar sa më lehtë e sa më shpejt drejt sukseseve të tjera, drejt sukseseve të reja”, deklaroi ai.

Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti edhe trajneri Driton Kuka, i cili tha se është nder dhe kënaqësi që po ju shoh këtu pasi është hera e tretë me radhë nga tri lojëra olimpike po kthehemi me medalje.

Pritja shtetërore u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe u mbajt në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë, ku përveç përfaqësuesve shtetërorë, kishin dalë për të pritur kampionët olimpikë edhe qytetarë të shumtë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku,
Shumë i dashuri ekip olimpik i yni,
Të nderuar sportistë, Hana Beiqi, Donjeta Sadiku, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Distria Krasniqi,
I nderuari kryemjeshtër Driton Kuka, trajneri i reprezentacionit shtetëror të xhudos,
Të nderuar trajnerë, Majlinda Kelmendi, Fatos Tabaku dhe Mariola Sallauka,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sot këtu para jush jemi me një ekip të shkëlqyer kampionësh. Me një ekip që na bënë krenarë anembanë botës, kudo që shkon. Nga Rio në Tokio, e nga Tokio në Paris.

Kësaj radhe, prijëse të suksesit tonë sportiv në Olimpiadën e Parisit, ishin dy xhudistet tona, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.

Me shumë punë edhe me më shumë disiplinë dhe gjithnjë me përkushtim, ekipi jonë i xhudos arriti që ta mbajë traditën tonë si shtet, për të fituar medalje Olimpike në secilën Olimpiadë që kemi marrë pjesë deri më tani!

E në këto Lojërat Olimpike në Paris, gati se – secili sportist i yni ka arritur ta thyej së paku një rekord për veti:

● Distria është sportistja jonë e parë që arrin të ketë dy medalje olimpike, një të artë dhe një të argjendtë;

● Nora: sportistja e parë e Kosovës që shënon pjesëmarrje të trefishtë në Lojëra Olimpike, në Rio, në Tokio dhe në Paris;

● Laura: xhudistja jonë e parë – medaliste në Lojërat Olimpike që nuk është nga qyteti i Pejës, por është nga Mitrovica. Andaj, Peja nuk është vetëm ujë dhe bjeshkë, por edhe shkollë siprore për xhudistët tanë.

● Loriana Kuka, me krenari shënoi përmbylljen e karrierës së saj sportive si xhudiste elitare;

● Akili, të cilit i mungoi fati që të fitoi medalje por mbetet sportisti i parë që arrin TOP 5-shen Olimpike në konkurrencën e meshkujve

● Rekordi i boksierës tonë të hekurt, Donjetës: Sportistja e parë jo xhudiste që merr pjesë në lojëra olimpike dhe atë me normë olimpike;

● Rekordi i talentes 15 vjeçare, Hanës: sportistja më e re që e ka përfaqësuar Kosovën ndonjëherë në Lojëra Olimpike;

E arta e jonë e parë olimpike, Majlinda Kelmendi, në Paris 2024 – vulosi rrugëtimin e saj të ri në rolin e trajneres – ajo për herë të parë i solli Kosovës medalje të bronztë olimpike. E artë si xhudiste, e bronztë si trajnere.

E kryemjeshtri jonë – Toni – pesë rrathët e Lojërave Olimpike i përmbushi me pesë medalje olimpike. Tash e kemi setin e kompletuar të medaljeve në Olimpiadë të Tonit – 3 të arta, 1 të argjendtë dhe një të bronztë. Toni Kuka 5 medalje.

Toni – pas medaljes së Laurës, me shumë emocion tha se iu realizua ëndrra e tij, duke i bërë 5 medalje olimpike. Mirëpo Toni, meqenëse e di që po na dëgjon shumë mirë, jo vetëm për shkak se unë po flas me zë të lartë e me mikrofon këtu, më duhet ta rikujtoj se – Medalja e gjashtë është ëndrra më e ëmbël!

Andaj, i gjithë ekipi olimpik, jo vetëm i xhudos por edhe i boksit, atletikës, notit dhe i gjithë sporteve tjera, vazhdoni të punoni – sepse ëndrrat e mira, asnjëherë nuk kanë fund!

Të nderuar të pranishëm që keni ardhur këtu, me gëzim dhe krenari të mirëprisni ekipin tonë olimpik, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ne emër të gjithë qytetarëve tanë, kam nderin t’ju përgëzoj për sukseset tuaja dhe t’ju uroj mirëseardhje për kthimin me plotë krenari në shtëpinë tuaj. Për pjesën e ekipit e cila ndodhet ende në Paris, ju presim krahëhapur në Kosovën tuaj të dashur.

Ky vend të cilin ju e bëtë krenarë, do të mbajë gjithmonë të hapur rrugën tuaj për të shkuar sa më lehtë e sa më shpejt drejt sukseseve të tjera, drejt sukseseve të reja.

Dikur dukej imagjinare ta mendosh se Kosova triumfon para shteteve – që janë fuqi botërore. Mirëpo, tani ky fakt është bërë realitet bindës, të cilin të gjithë ne po e gëzojmë, përderisa – rajoni e më gjerë po e vlerësojnë.

Këto rezultate kurrsesi nuk janë të rastësishme!

Së bashku me kontributin e dhënë nga që të gjithë, e më së shumti nga Federata e Xhudos së Kosovës, krijuam kampionë Olimpik, e do të vazhdojmë të krijojmë edhe kampionë të rinj në të ardhmen.

Andaj, urime juve dhe gjithë Kosovës! U jemi mirënjohës përjetësisht!

Sukseset na qofshin të pandalshme.

Faleminderit shumë të gjithëve!

 

Last modified: 6 Gusht, 2024

Comments are closed.