Zyra e Kryeministrit

U certifikua gjenerata e pestë e asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore

4 Mars, 2024


Prishtinë, 4 mars 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së certifikatave për gjeneratën e pestë të Asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore.

Një fjalimin e tij para të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se të të gjithë jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, si nga vetitë e karakterit, tiparet fizike, prirjet apo kërkesat e caktuara dhe kjo inkurajon zgjerimin e vetëdijes, thellimin e dijes dhe na jep mundësi t’i kuptojmë ndryshimet e t’i trajtojmë si duhet, duke synuar barazi për të gjithë.

“Të qenit ndryshe është vlerë për një shoqëri demokratike dhe të shëndoshë”, u shpreh ai.

Me tej, kryeministri Kurti theksoi se disa kualifikime kërkojnë vëmendje të posaçme dhe kujdes të veçantë, sepse mbështesin individë me nevoja të veçanta arsimore, prandaj, nuk ka mënyrë më të mirë për ta ndërtuar të ardhmen bashkë, se sa duke përgatitur profesionistë të kualifikuar e të specializuar, që më pastaj përgatisin të tjerët të zhvillojnë e të marrin aftësi të tyre e të reja.

“Një fakt i spikatur për gjeneratën tuaj të asistentëve, është se, fillimisht patëm planifikuar pesë grupe me 125 pjesëmarrës, por përfundimisht janë krijuar shtatë grupe me 180 pjesëmarrës nga 21 komuna të Kosovës anembanë vendit tonë”, tha Kryeministrit, duke shtuar se deri tani kemi 409 asistentë të certifikuar, gjithsej në pesë gjenerata, ndërsa aktualisht po e vijon trajnimin gjenerata e gjashtë.

Kjo tregon qartë interesimin e shtuar dhe ritmin intensiv të punës për t’iu ofruar asistencë cilësore fëmijëve tanë, që kanë nevojë për mbështetje të veçantë.

Duke falënderuar asistentët për fëmijë me nevoja të veçanta, kryeministri tha se garantimi dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve, përveçse është çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme.

Në fund ai përgëzoi Ministrinë e Arsimit për punën intensive dhe cilësore dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë LuxDev dhe Pearson për bashkëpunimin frytdhënës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj.Fikrie Zymberi, drejtoreshë e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe për të rritur,
I nderuari z.Muhedin Nushi, këshilltar i lartë dhe shef i kabinetit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioit,
Të nderuar zyrtarë të arsimimit profesional dhe arsimit për të rritur,
Të dashur asistentë të diplomuar,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Të gjithë jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, si nga vetitë e karakterit, tiparet fizike, prirjet apo kërkesat e caktuara. Të qenit ndryshe është vlerë për një shoqëri demokratike dhe të shëndoshë. Kjo inkurajon zgjerimin e vetëdijes, thellimin e dijes dhe na jep mundësi t’i kuptojmë ndryshimet e t’i trajtojmë si duhet, duke synuar barazi për të gjithë.

Në arsim ka barazi kur secila dhe secili ka mundësi të njëjtë për të mësuar e për tu zhvilluar, çka ne në Kosovë po e realizojmë me politika dhe veprime konkrete. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta ndërtuar të ardhmen bashkë, se sa duke përgatitur profesionistë të kualifikuar e të specializuar, që më pastaj përgatisin të tjerët të zhvillojnë e të marrin aftësi të tyre e të reja.

Disa kualifikime kërkojnë vëmendje të posaçme dhe kujdes të veçantë, sepse mbështesin individë me nevoja të veçanta arsimore. Të tillët janë fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët me nevoja ndryshe, për të cilët kujdesi institucional është i padiskutueshëm dhe i vazhdueshëm. Dhe, jeni ju, asistentë e asistente të nderuara, që sot keni rol të rëndësishëm në zhvillimin e shëndetshëm social dhe intelektual të këtyre fëmijëve.

Një fakt i spikatur për gjeneratën tuaj të asistentëve, është se, fillimisht patëm planifikuar pesë grupe me 125 pjesëmarrës, por përfundimisht janë krijuar shtatë grupe me 180 pjesëmarrës nga 21 komuna të Kosovës anembanë vendit tonë. Kjo tregon qartë interesimin e shtuar dhe ritmin intensiv të punës për t’iu ofruar asistencë cilësore fëmijëve tanë, që kanë nevojë për mbështetje të veçantë.

Deri tani kemi 409 asistentë të certifikuar, gjithsej në pesë gjenerata, ndërsa aktualisht po e vijon trajnimin gjenerata e gjashtë. Me kënaqësi mund të konstatojmë rritjen e jashtëzakonshme të numrit të pjesëmarrësve në kualifikim, nga 48 vitin e kaluar shkollor, në 180 në këtë vit.

Ndërkaq, vetëm në periudhën 2021-2023 janë punësuar 250 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta dhe gjithsej janë planifikuar të punësohen 500 sosh. Pra, kjo nuk ju mundëson vetëm zhvillim profesional, por edhe punësim dhe vazhdimësi të rrugëtimit tuaj fisnik.

Andaj, e përgëzoj Ministrinë e Arsimit për punën intensive dhe cilësore dhe falënderoj partnerët ndërkombëtarë LuxDev dhe Pearson për bashkëpunimin frytdhënës.

Të nderuar asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta,

Unë ju falënderoj të gjithë juve për angazhimin tuaj, që t’ua shtojmë fëmijëve ndjenjën e përkatësisë, e t’ua mundësojmë jetën me dinjitet. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve, përveçse është çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme.

Jemi bashkë në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të mirë dhe një të ardhme me mundësi më të mëdha për secilin dhe secilën.

Urime dhe ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në punën, angazhimin dhe kontributin, që bëni e që jepni!

 

Last modified: 5 Mars, 2024

Comments are closed.

×