Zyra e Kryeministrit

Të arriturat e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë

16 Tetor, 2023

Tiranë, 16 tetor 2023

Nën kryesimin e Shqipërisë si nikoqire, në bashkë organizim me qeverinë gjermane, më 16 tetor 2023, në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit. Pjesëmarrës ishin liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, me pjesëmarrje nga shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizatat rajonale. Republika e Kosovës u përfaqësua nga Kryeministri Albin Kurti.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje dhe u zotuan për gjashtë deklarata të përbashkëta të cilat synojnë të thellojnë Tregun e Përbashkët Rajonal.

Marrëveshja e nënshkruar për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale do të shtrihet edhe në katër profesione të reja: infermierët, mamitë, farmacistët, si dhe kirurgët veterinar. Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.

Përmes Deklaratave të Përbashkëta shtetet e Ballkanit Perëndimor u zotuan për:

Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit ndërmjet BP6 dhe Tregut Unik të BE-së. Kjo do të bëhet me anë të mekanizmit financues të Bankës Botërore TTFP-2, i cili synon thjeshtëzimin e procedurave të tregtisë mes rajonit dhe BE-së, përmirësimin e logjistikës së transportit rajonal, si dhe asistencë teknike në zbatim të reformave.

Zhvillimin e Nismës për WiFi për Ballkanin Perëndimor e cila synon përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe fillimin e një pilot projekti për instalimin e shërbimit WiFi në hapësira publike në disa komuna.

Anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) për lehtësimin, sigurimin dhe fuqizimin e transfereve financiare mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Me anë të anëtarësimit të plotë në SEPA do të sigurohet hapja e tregut financiar që do t’i ulë kostot e transferit dhe përmirësojë shërbimet, gjë që do t’ua lehtësojë ndjeshëm mërgatës sonë transferin e remitencave.

Krijimin e një Observatori të Konvergjencës në Ballkanin Perëndimor, i cili do të identifikojë dhe masë elementet kyçe për konvergjencën e rajonit tonë me BE-në, si dhe do të japë propozime për përshpejtimin e këtij procesi.

Parandalimin e Ndotjes Plastike, përfshirë mbeturinat, përmes së cilës gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ndërmarrin hapa për parandalimin efektiv të ndotjes plastike në tokë dhe det.

Me Deklaratën e Përbashkët “Partneriteti Rajonal për Klimën” ndërmjet gjashtë shteteve dhe Republikës Federale të Gjermanisë liderët u zotuan për rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe të ndryshimeve klimatike. Qeveria Federale Gjermane zotohet për mbështetje deri në 1 miliard dollar deri në 2030, si dhe 500 milionë në afat të shkurtër kohor, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për sektorin e energjisë së gjelbër dhe për transformim shoqëror dhe mjedisor.

Republika e Kosovës është mbështetëse e fuqishme e Procesit të Berlinit dhe është e angazhuar për thellim të bashkëpunimit në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat, vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Last modified: 18 Tetor, 2023

Comments are closed.

×