Zyra e Kryeministrit

Shënohet 35-vjetori i grevës së madhe të minatorëve të Trepçës

20 Shkurt, 2024

Mitrovicë, 20 shkurt 2024

“Dikur minatorët kanë hedhur themelet e Republikës, tani Republika dhe minatorët bashkë po e ribëjnë “Trepçën”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të 35-vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës, ditë kjo që shënon historinë e lavdishme të Republikës sonë.

Duke e ndërlidhur këtë ditë me shënimin e festave të mëdha, që vijnë pas Ditës së Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, në motin e 25-të të çlirimit, kryeministri tha se duke kujtuar grevën e madhe të minatorëve, ne nderojmë rrënjët e Republikës sonë.

Ai ka sjellë në kujtesë para të pranishmëve të shumtë, kohën kur Serbia kishte nisur të trazonte këtë copë të Evropës, duke kujtuar këtu se ishin minatorët ata që të parët iu kundërvunë. “Ata porositën qartë e fuqishëm: se populli ynë nuk do të thyhej, nuk do të epej e nuk do të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur fatin e vet. Më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës u nisën në marshin e tyre nga minierat për në Prishtinë, për të kundërshtuar funksionarët që po i dorëzoheshin Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

“Më 20 shkurt 1989, ata u ngujuan në horizontet e minierës për të kundërshtuar heqjen e autonomisë. Nga mesdita, kur fillimisht minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare jashtë, duke hyrë në grevë urie, fjala “Trepçë” mori një kuptim të fuqishëm edhe politik, përmes së cilës denoncoheshin politikat diskriminuese dhe shtypëse të Millosheviqit. Dhe kjo vazhdoi deri në ditën e fundit të grevës më 28 shkurt, kohë kjo gjatë të cilës 1300 minatorë të “Trepçës” të ngujuar në grevë urie nga zgafellat e horizontit të tetë dhe të nëntë të minierës, i parashtruan 10 kërkesa, ndër të cilat, “që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, tha Kryeministri.

Ai tha se minatorët tanë nuk u përçanë e as nuk u dorëzuan para së keqes, dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës së qytetëruar e demokratike.

Duke kujtuar heroizmin dhe sakrificën e xehetarëve, që Kosovës i shërbyen me djersën dhe gjakun e tyre, kryeministri Kurti theksoi se mbi 130 minatorë ranë dëshmorë në ballë të luftës çlirimtare dhe martirë të panënshtruar ndaj gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë. “U përkulemi në nderim, për jetë e mot! 35 vjet pas grevës, vendi ynë i lirë tash punon me zell për të ruajtur pronën e popullit dhe për të nxitur zhvillimin e mirëqenien”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës, kryeministri Kurti tha se kanë mbështetur “Trepçën” me mjete për investime kapitale dhe me kapital pune, duke dhënë rreth 25 milionë euro subvencione vetëm gjatë tri viteve të fundit, duke shtuar se po përkrahim sërish “Trepçën” me kredinë 20 milionëshe për të investuar në teknologji të re, që rrit efiçiencën e prodhimit, ngrit performancën operative e financiare, përmirëson kushtet e punës dhe hap vende të reja pune.

Pas ceremonisë së organizuar në shënimin e përvjetorit të sivjetmë të grevës së madhe të minatorëve, kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën personale të Mentor Berishës, me titull “Solidaritet si Rezistencë”, të kuruar nga Alban Beqiraj, që u mbajt në hyrje të minierës, dhe gjithashtu Muzeun e Kristaleve të Kosovës “Trepça”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari zëvendësministër i Ekonomisë, Getoar Mjeku,
I nderuari Kryeshef i ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti,
E nderuara Kryesuese e bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes, Rrezarta Pllana,
I nderuari Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi,
I nderuari zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari, Armend Muja, Jeta Statovci, Arjeta Fejza,
I nderuari ish-kryeministër dhe Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherit edhe deputet në Kuvendin e Republikës,
I nderuari nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, ish-kryetar i Komunës, Agim Bahtiri dhe
I nderuar Kryetar i Komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiq,
Të dashur minatorë dhe ish-minatorë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Po takohemi sot bashkë në Ditën e Minatorit, këtë ditë që e shënon historinë e lavdishme të Republikës sonë. Historianët na mësojnë se pranvera e popullit nis herët, pa e pritur datën, pa e pritur barasnatën. E, 20 shkurti i vitit 1989 ishte ditë e madhe e asaj pranvere, që ne sot e kremtojmë me mirënjohjen më të thellë.

Ditën e Minatorit e shënojmë në vargun e ngjarjeve të mëdha, fill pas Ditës së Pavarësisë së shpallur 16 vjet më parë, buzë 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në motin e 25-të të çlirimit të Kosovës sonë të shtrenjtë. Duke kujtuar grevën e madhe të minatorëve, ne nderojmë rrënjët e Republikës sonë.

Kur Serbia fashiste nisi të trazonte këtë pjesë të Evropës, minatorët qenë të parët që iu kundërvunë. Ata porositën qartë e fuqishëm: Se populli ynë nuk do të thyhej, nuk do të epej e nuk do të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur për fatin e vet. Më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës u nisën në marshin e tyre nga minierat për në Prishtinë, për të kundërshtuar funksionarët që po i dorëzoheshin Serbisë.

Më 20 shkurt 1989, ata u ngujuan në horizontet e minierës për të kundërshtuar heqjen e autonomisë. Nga mesdita, kur fillimisht minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare jashtë duke hyrë në grevë urie, fjala “Trepçë” mori një kuptim të fuqishëm edhe politik, përmes së cilës denoncoheshin politikat diskriminuese dhe shtypëse të Millosheviqit. Dhe kjo vazhdoi deri në ditën e fundit të grevës më 28 shkurt, kohë kjo gjatë të cilës 1300 minatorë të “Trepçës” të ngujuar në grevë urie nga zgafellat e horizontit të tetë dhe të nëntë të minierës, i parashtruan 10 kërkesa, ndër të cilat, “që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”.

Kështu një komunitet minatorësh, që për vite ishte shfrytëzuar duke ua eksploatuar punën, u kthye në një kolektivitet me vetëdije dhe guxim politik, që e dridhi gjithë Jugosllavinë. Të gjithëve na pat bërë shumë përshtypje niveli i lartë i vetëdijes politike të minatorëve, që edhe në gjendje të rënduar shëndetësore bën apel për pajtim të gjaqeve, duke deklaruar, po e citoj deklaratën e asaj kohe: “Ne minatorët e Stantërgut, të cilët jemi të mbyllur nën tokë qe tetë ditë pa e pa dritën e djellit me sy, pa ngran e pa pi, me gzim të madh ndëgjuam lajmin për nji gjest human të traditës shqiptare. Fjala është për pajtimin e familjeve Haxhi Bytyqi dhe Sejdi Ramshi. Apeli i xehtarëve të “Trepçës” dhe mbarë Kosovës, të gjitha familjet e gjaksuara mes veti t’ja shtrijnë si burrat dorën njeri tjetrit dhe të pajtohen, si thojnë populli besën e paqes. Kjo kishte me qenë ushqimi jonë, drita jonë, kishte me qenë përkrahja ma e madhe për neve”, mbaron citati i asaj deklarate.

Minatorët tanë nuk u përçanë e as nuk u dorëzuan para së keqes, dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës së qytetëruar e demokratike. Një udhëheqës do të thosha evropian qysh atëherë, kryetari Millan Kuçan i Sllovenisë, foli asokohe në një tubim të madh solidariteti në Lubjanë, po e citoj: “Minierat e Trepçës po mbrojnë të drejtat e qytetarëve në Kosovë për të zgjedhur udhëheqjen e vet”.

Ne sot kujtojmë heroizmin dhe sakrificën e xehetarëve, që Kosovës i shërbyen edhe me djersën edhe gjakun e tyre. Mbi 130 minatorë ranë dëshmorë në ballë të luftës çlirimtare dhe si martirë të panënshtruar ndaj gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. U përkulemi në nderim, për jetë e mot! 35 vjet pas grevës, vendi ynë i lirë tash punon me zell për të ruajtur pronën e popullit dhe për ta nxitur zhvillimin e mirëqenien. Këto janë misioni ynë si Qeveri. Në minierë puna e të gjithë neve është më e rëndë, por misioni ynë është i mundshëm. “Trepça” ka udhëheqjen e re, të përkushtuar për të përkrahur punën e mirë, për të tejkaluar vështirësitë, për ta zënë hapin, për ta rritur edhe prodhimin edhe produktivitetin.

Kemi mbështetur “Trepçën” me mjete për investime kapitale dhe me kapital pune, janë dhënë 25 milionë euro subvencione gjatë këtyre tri viteve të fundit. Dhe, po përkrahim sërish “Trepçën” me kredinë 20 milionëshe për të investuar në teknologjinë e re, që e rrit efiçiencën e prodhimit, e ngrit performancën operative e financiare, përmirëson kushtet e punës, por edhe hapë vende të reja të punës. Kuvendi e ka miratuar tashmë Ligjin për Fondin Sovran, që do të jetë institucion investues e zhvillimor i Republikës. Ky ligj po pret lejen e Gjykatës për të hyrë në fuqi, para se “Trepça” ta vazhdojë rrugëtimin në kuadër të Fondit, aty ku është kapitali i shtuar dhe ku janë mundësitë e reja për zhvillim e për rritje.

Pasuritë tona natyrore do t’i shfrytëzojmë me maturi. “Trepçën” dhe ndërmarrjet publike do t’i mbajmë dhe do t’i mbarështojmë si pasuri tonën, duke i qeverisur mirë dhe duke ua rritur vlerën. Sektorin e minierave do ta zhvillojmë me qasje të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale, por edhe mjedisore. Suksesi ynë është i mundshëm bashkë, me punën tonë si qeveri dhe përkushtimin tuaj si minatorë-pronarë të “Trepçës”. Dikur minatorët kanë hedhur themelet e Republikës, tani Republika dhe minatorët bashkë po e ribëjnë “Trepçën”. E, sot, rastësisht përputhet me ditëlindjen e Minatorit edhe ditëlindja e një kolegu tonë tjetër, që nuk është këtu, sepse ndodhet në Komunën e Leposaviqit, Kryetari Lulzim Hetemi, e ka ditëlindjen, sikurse Minatori i “Trepçës”, pra me 20 shkurt.

Ju faleminderit shumë për angazhimin, punën, kontributin që bëni e që jepni.

Me fat dhe gëzuar Ditën e Minatorit të gjithëve!

 

Last modified: 20 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×