Zyra e Kryeministrit

Shënohet 25-vjetori i themelimit të agjencisë së lajmeve KosovaPress

7 Shkurt, 2024

Prishtinë, 7 shkurt 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte i ftuar sonte si mysafir dhe folës kyç në ngjarjen që shënoi 25-vjetorin e themelimit të agjencisë së lajmeve KosovaPress. Në pamundësi për të qenë i pranishëm, fjalën e tij, në emër të tij, e lexoi zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Fjala e plotë:

Me të drejtë, shtypi i lirë dhe i pavarur është konsideruar shtyllë qendrore e demokracisë përfaqësuese. Jo rastësisht, pas Revolucionit Amerikan etërit themelues të republikës amerikane e vendosën lirinë e shprehjes dhe të shtypit në vendin e parë në kartën e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit—e ashtuquajtura “Bill of Rights.” Kanti, një ndër filozofët më të shquar të iluminizmit evropian, shkruante se “liria e penës është garanca e vetme për të drejtat e popullit.” T’ia mohosh popullit këtë të drejtë, gjykonte ai, do të thotë asgjë më pak sesa t’ia mohosh atij çdo të drejtë përkundrejt udhëheqësit më të lartë të vendit.

Sot shënojmë 25-vjetorin e themelimit të një prej agjencive të rëndësishme të lajmeve në vendin tonë. KosovaPress-i e ndan të njëjtin përvjetor me çlirimin e vendit tonë. Kjo agjenci lajmesh u themelua më 4 janar të vitit 1999, vit ky tejet domethënës në historinë më të re të Kosovës. Shumë shpejt pas themelimit, kjo agjenci lajmesh do të bëhej zëri i popullit liridashës të Kosovës dhe përpjekjes së tij për çlirim nga sundimi i Serbisë së Millosheviqit. Në ato rrethana aspak të lehta për popullin tonë, gazetarët e KosovaPress-it dhanë kontribut tejet të çmuar për nxjerrjen në pah të së vërtetës për Kosovën. Raportimet e kësaj agjencie lajmesh u bënë shumë shpejt referencë kryesore për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, duke ndikuar kështu që edhe opinioni publik ndërkombëtar të krijonte një ide më të saktë për situatën në Kosovë përgjatë atij viti vendimtar.

Informacioni është një ndër komponentët kyç në çdo luftë, e sidomos në një luftë të armatosur. Një informacion që në kushte të zakonshme do të ishte vetëm një lajm, në gjendje lufte bëhet armë në duart e atij që e ka dhe të atij që e shpërndanë apo e ruan për vete atë. Gjatë kohës së luftës, një nga problemet në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë propaganda e madhe që e bënte Serbia kundër UÇK-së brenda dhe jashtë Kosovës. E konceptuar dhe e ekzekutuar nga organet dhe aparatura e shtetit të Serbisë, kjo propagandë e egër antishqiptare, duhej luftuar me të vërtetën dhe me të drejtën, meqë e vërteta dhe e drejta ishin edhe atëherë sikurse edhe sot në anën e Kosovës si çështje dhe të popullit të saj si subjekt historie. Pikërisht në betejën për informim të drejtë, agjencia e lajmeve KosovaPress ka qenë njësiti kryesor i luftës tonë të drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese. Në vitin 2016, Instituti i Historisë pati botuar në katër vëllime veprën Arkivi i Luftës i Agjencisë Shtetërore Informative “KosovaPress”, ku janë përmbledhur të gjitha lajmet e agjencisë KosovaPress, nga dita e themelimit më 4 janar 1999 dhe deri në ditët e para të çlirimit më 17 qershor 1999. Nëse i merrni në dorë ato katër vëllime me mbi 2000 faqe gjithsej dhe i lexoni, mund ta kuptoni pothuajse gjithë kronologjinë e gjashtë muajve të fundit të luftës në Kosovë. Pra, mund të thuhet që agjencioni KosovaPress ka qenë kronisti më i rregullt i asaj periudhe.

Fatmirësisht, në Republikën e Kosovës sot gazetaria ushtrohet në kushte krejt tjera. Vendi ynë është ndër vendet me skenën më të gjallë dhe më të pasur mediale në rajonin tonë. Rezultatet tona në fushën e lirisë së shtypit konfirmohen edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare. Sipas “Reporterëve pa Kufij,” Kosova ka përmirësuar për 22 vende pozitën e saj në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (World Press Freedom Index). Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i interesuar që liria e shtypit të vazhdojë të lulëzojë edhe më fort. Përpos që është garancë e të drejtave të popullit, liria e mediave është gjithashtu garancë për mundësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes. Pa lirinë e shtypit, qeveritarët nuk do të kuptonin gabimet e tyre, e rrjedhimisht vendi ynë do të privohej nga mundësia e përmirësimit dhe përparimit të vazhdueshëm.

Ndërkohë që vazhdojmë të mbrojmë me xhelozi lirinë e shtypit, duhet gjithashtu të bëjmë përpjekje për të luftuar dukurinë mjaft të përhapur të keqinformimit masiv e të qëllimshëm, që sot po kërcënon cilësinë e debatit shoqëror gjithandej shoqërive të lira. Nëse ndaj kësaj dukurie nuk po dëshmohen të paprekshme as demokracitë me të vjetra të botës, aq më pak mund të konsiderohemi të tillë ne si një demokraci e re. Në këtë drejtim, mendoj që roli i gazetarëve dhe mediave profesioniste është i pazëvendësueshëm. Ato duhet të japin shembullin e gazetarisë së guximshme e të përkushtuar ndaj të vërtetës, pavarësisht interesave të të fuqishmëve që kërkojnë ta heshtin atë, qofshin këta zyrtarë shtetëror apo biznese të mëdha që ofrojnë para në këmbim të heshtjes. Nëse në kohën e revolucionit amerikan dhe atij francez kërcënimi më i madh ndaj shtypit të lirë vinte nga shteti monarkist dhe kisha, sot në shoqëritë e lira e demokratike duket se kërcënimi më i madh vjen nga komercializimi i medias. Koncentrimi i madh i pushtetit ekonomik në pak duar përbën kërcënim po kaq serioz ndaj shtypit të lirë sa ç ‘përbënte dikur pushteti absolut i aleancës ndërmjet fronit mbretëror dhe altarit kishtar.

Dua ta shfrytëzoj këtë rast që si Kryeministër i Republikës së Kosovës të ritheksoj përkushtimin tim dhe të Qeverisë që unë drejtoj ndaj lirisë së shtypit. Si një politikan socialdemokrat që pjesën më të madhe të jetës së vet e ka kaluar si aktivist shoqëror e politik, unë e kuptoj mirë rëndësinë që ka liria e shprehjes dhe e shtypit për përparimin shoqëror. Andaj, ju ftoj që të shikoni me llupë të gjitha veprimet e mia dhe të qeverisë që drejtoj, duke këmbëngulur përherë në llogaridhënie të njëmendtë demokratike. Si një politikan dhe aktivist socialdemokrat, më llogarisni gjithnjë një aleat në betejën për shtyp të lirë e të pavarur në vendin tonë.

Urime të përzemërta për 25-vjetorin!

Ju falemnderit.

Last modified: 8 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×