Zyra e Kryeministrit

Shekulli njëzet e një, shekull i integrimi të shqiptarëve në institucionet euroatlantike, thotë kryeministri Thaçi në Akademinë Përkujtimore për dëshmorët Fehmi e Xhevë Lladrovci

18 Shtator, 2008

Prishtinë, 18 shtator 2008
 
E nderuara familje Lladrovci,
E nderuara familje Krasniqi,
Të nderuara familje të dëshmorëve
I nderuar president Sejdiu
Zonja dhe zotërinj,
 
Me 22 shtator bëhen 10 vjet nga akti i rënies heroike të  gjeneral major Xhevë Krasniqit dhe gjeneral nënkolonel Fehmi Lladrovcit.
 
Emrat e tyre janë binom i të jetuarit dhe të flijuarit për lirinë e atdheut.
 
Përvjetorin e dhjetë të rënies së tyre e shënojmë për herë të parë në Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, për të cilën ata punuan dhe u sakrifikuan.
 
Disa njerëz janë të veçantë, sepse nuk bëjnë jetë të veçuar, por jetë gjeneraliteti, gjithpërfshirëse dhe tërësore në realizim të idealit të tyre të lartë.
 
Prandaj që në lindje janë gjeneralë.
 
Fehmiu dhe Xheva janë emra kuptimplotë të emrit bashkëshortësi, lidhje e fatit, lidhje e shortit individual me fatin e atdheut dhe kombit të tyre.
 
Ata në çdo kohë qenë bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë, për ta kurorëzuar jetën e tyre me bashkërënie heroike në ballë të luftës.
 
Çdo vit që kalon, çdo dekadë, pas qindra vjetësh do të kuptohet më thellë dhe më qartë përmasa e vërtetë dhe madhështia e luftës  çlirimtare.
 
Me kalimin e viteve figurave të tyre u fisnikërohet bronzi i përjetësisë, ndërsa gjeneratave të ardhshme u rritet krenaria.
 
Xhevë Krasniqi dhe  Fehmi Lladrovci e jetuan fatin e Kosovës.
 
Profesoresha dhe veprimtarja Xhevë, sintetizon dy dimensione të rëndësishme në harkun e saj jetësor: të besnikërisë, të pritjes mitike të burrit, dhe atë historik,  të Shotë Galicës,  – të bashkëshortes luftëtare.
 
Jeta e Fehmi Lladrovcit sintetizon tri gjendje themelore jetësore të vetë atdheut, të vetë Kosovës. Burgun. Migrimin. Luftën.
 
Në të gjitha periudhat jetësore Fehmi Lladrovci manifestoi përkushtim të hekurt në rrugën e lirisë.
 
Mbi gjithçka individuale vuri përkushtimin për Kosovën.
Rininë dhe pjekurinë.
 
Kudo në Kosovë dhe jashtë saj krijoi lidhje dhe miq.
 
Fehmiu ishte në organizime ilegale, në ato ushtarake, në greva urie, në strukturim të UÇK-së dhe në struktura komanduese.
 
Ai ishte aty ku zhvilloheshin betejat, në ngritje të moralit njerëzor e politik, kudo në terren, pranë ushtarit, pranë qytetarit.
 
Fehmi Lladrovci ishte ushtar i Komandantit legjendar Adem Jashari, Komandant i ushtarëve të Brigadës 114, së cilës i dha forcë, emër dhe nder.
 
Fehmi Lladrovci është njëri ndër komandantët e mëdhenj që ra pas komandant Adem Jasharit, duke e ngritur lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi ranë më 22 shtator 1998.
 
Me javë të tëra Brigadat e UÇK-së përballeshin me ofensiva. Morali dhe vendosmëria e ushtarëve tanë , qëndresa dhe rezistenca e popullit tonë për lirinë e atdheut ishte më e fortë se çdo brutalitet i makinerisë ushatrake e policore serbe.
 
Rënia e Fehmiut dhe Xhevës ishte humbje e rëndë.
 
Ishte rënie që krahas dhembjes shndërrohet në forcë, në vendosmëri, në frymëzim.
 
Ushtria Çlirimtare Kosovës do ta vazhdojë betejën politiko-ushtarke edhe më e vendosur, edhe më e sprovuar.
 
Edhe komandantë të tjerë do të bien në altarin e lirisë. Do të bien shumë ushtarë, shumë qytetarë, për të përmbyllur shekullin e njëzet.
 
Nëse të tjerët rreth nesh kishin jetësuar aspiratat shtetformuese një ose dy shekuj më parë, shekulli i njëzet ishte shekull i robërisë së shqiptarëve.
 
Falë luftës dhe vizionit politik të UÇK-së dhe rezistencës qytetare, Kosova ndërroi kursin historik.
 
Ëndrrat dhe flijimet e hapën horizontin e shekullit të lirisë.
 
Shekulli njëzet e një, është shekull i integrimi të shqiptarëve në institucionet euroatlantike.
 
Shekull i Kosovës së Pavarur, të Lirë, Sovrane dhe Demokratike.
 
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
 
Ne që kemi patur fatin t’i njohim Fehmi e Xhevë Lladrovcin, ne që kemi mbijetuar dhe ngadhënjyer, kur zhvilluam beteja diplomatike të shtetkrijimit të Kosovës, e kemi pasur të lehtë ballafaqimin me politikën e Beogradit.
 
Fehmi Lladrovci dhe personalitete të luftëtarëve të tjerë ishin model i fitimit të betejës shpirtërore dhe ideore ndaj pushtuesit,  i betejës ushtarake dhe politike.
 
Ky kualitet na ka shoqëruar në çdo hap, në çdo vendim.
 
Prandaj, jemi krenarë që së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi përmbyllur një proces, për të cilën kanë kontribuar breza të tërë me gjithë qenien e tyre.
 
Ju, të nderuara familje Krasniqi dhe Lladrovci, jeni pjesë e krenarisë së lirisë së Kosovës.
 
Lavdi Fehmi e Xhevë Lladrovcit!
 
Lavdi dëshmorëve!  

Last modified: 18 Shtator, 2008

Comments are closed.

×