Zyra e Kryeministrit

Rishikimi i teksteve shkollore, dorëzohet raporti i fazës së parë që përfshin vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës së klasave 1-9

21 Mars, 2024

Prishtinë, 21 mars 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës. Aty të pranishëm ishin edhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrtarë të MAShTI-it dhe anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPShT.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës.
Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen, veçoi ai.

Në lidhje me raportin e përgatitur, kryeministri u shpreh se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.

“Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, tha kryeministri.

Ndërsa, ministrja Nagavci tha se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës.

Ajo bëri të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA duke i ditur rezultatet e nxënësve në këto lëndë.

Ministrja shtoi se përveçse do të vazhdojmë me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikojmë që të gjitha këto raporte t’i ndajmë më shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.

Mihaela Singer nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore. Singer ka folur për fazën e parë të procesit të rishikimit të teksteve shkollore dhe gjetjet të cilat janë përfshirë në Raport.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë”, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar kanë filluar procesin e rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm (klasat 1-9), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit parauniversitar.

Procesi i rishikimit të teksteve shkollore udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë.

Last modified: 22 Mars, 2024

Comments are closed.

×