Zyra e Kryeministrit

Qeveria miraton Agjendën e Reformave në kuadër Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor

9 Dhjetor, 2024

Më 9 tetor 2024, në mbledhjen e saj të 223-të, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Agjendën e Reformave të Kosovës në kudër të Instrumentit të Bashkimit Evropian për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Ky instrument është kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Qëllimi i tij është mbështetja e reformave për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike e integrimit ekonomik në rajon dhe me tregun e përbashkët të BE-së. Ai është iniciuar nga Komisioni Evropian në nëntor 2023, përmes Planit të ri për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, të publikuar më 8 nëntor 2023.

Agjenda e Reformave është negociuar me Komisionin Evropian dhe planifikuar nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2024. Si dokument afatmesëm i reformave, ajo parasheh 111 hapa të reformave që do të zbatohen deri në fund të vitit 2027 në pesë fusha prioritare, si në vijim:

  1. Qeverisja, reforma e administratës publike dhe menaxhimi i financave publike, me 4 reforma dhe 15 hapa reformash, të shpërndarë në 2 nënfusha:
    • Reforma e administratës publike, dhe
    • Menaxhimi i financave publike;
  2. Tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, me 8 reforma dhe 28 hapa reformash, të shpërndarë në 6 nënfusha:
    • Digjitalizimi i shërbimeve dhe infrastrukturave publike;
    • Siguria kibernetike;
    • Reformat e tregut;
    • Politika e dekarbonizimit;
    • Shpërndarja e burimeve të ripërtëritshme; dhe
    • Efiçienca e energjisë;
  3. Zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi afarist, me 7 reforma dhe 26 hapa reformash, të shpërndarë në 2 nënfusha:
    • Mjedisi afarist; dhe
    • Qasja në financa;
  4. Zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, me 5 reforma dhe 19 hapa reformash, të shpërndarë në 2 nënfusha:
    • Arsimi; dhe
    • Tregu i punës; dhe
  5. Bazat e aderimit në BE / Sundimi i ligjit, me 6 reforma dhe 23 hapa reformash, të shpërndarë në 6 nënfusha:
    • Gjyqësori;
    • Lufta kundër korrupsionit;
    • Lufta kundër krimit të organizuar;
    • Të drejtat themelore;
    • Demokracia; dhe
    • Politika e vizave.

Me zbatimin e këtyre reformave Kosova do të përfitojë deri në 882,609,009 euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër, 629,3 milionë euro, janë hua afatgjata. Rreth gjysma e kësaj shume total të fondeve do të jepen si përkrahje direkte në buxhetin e Kosovës, ndërsa gjysma tjetër do të jenë në dispozicion për projekte investuese përmes Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Baza ligjore për zbatimin e Agjendës së Reformave është Marrëveshja për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike, Marrëveshja për Hua dhe Vendimi i Qeverisë për miratimin e saj.

Reformat janë objektiva afatmesme që do të arrihen në fushat përkatëse të politikave deri në fund të vitit 2027 përmes hapave të reformave. Reformat adresojnë aspekte sistemike të avancimit të legjislacionit, politikave dhe funksionimit të institucioneve në drejtim të përafrimit me legjislacionin, standardet dhe praktikat e mira të BE-së. Ato adresojnë sfidat dhe nevojat me prioritet në fushat përkatëse dhe kontribuojnë në arritjen në Kosovë të qëllimeve të përcaktuara nga BE në Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike, ndërsa hapat e reformave janë objektiva specifike që kontribuojnë në arritjen e tyre. Reformat dhe hapat e reformave janë identifikuar bazuar në strategjitë sektoriale të Kosovës të cilat janë në fuqi ose në hartim e sipër, pra janë reforma të planifikuara nga vet institucionet tona në kuadër të dialogut të reformave për integrim evropian që zhvillohet me BE-në dhe mekanizmave të tjerë të ngjashëm.

Instrumenti i BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla dhe ka katër objektiva:

  1. Të fuqizojë integrimin ekonomik me Tregut të Përbashkët të BE-së;
  2. Të përshpejtojë integrimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, me fokus në shtatë fusha prioritare të ekonomisë:
    • Lëvizja e lirë e mallrave;
    • Lëvizja e lirë e shërbimeve dhe punëtorëve;
    • Qasja në Hapësirën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA/HPPE);
    • Lehtësimi i transportit rrugor;
    • Integrimi dhe dekarbonizimi i tregjeve të energjisë;
    • Tregu i përbashkët digjital; dhe
    • Integrimi në zinxhirin e furnizimit të industrive.
  3. Të përshpejtojë zbatimin e reformave themelore për aderim në BE dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, përfshirë përmes tërheqjes së investimeve dhe forcimit të stabilitetit rajonal; dhe
  4. Të shtojë ndihmën financiare në shkëmbim të zbatimit të reformave themelore dhe atyre ekonomike përmes pakos financiare për periudhën e ardhshme afatmesme.

Pakoja financiare e këtij instrumenti parasheh që gjatë periudhës afatmesme 2024-2027 të gjitha vendet e rajonit së bashku të përfitojnë fonde të BE-së në vlerë prej gjithsej 6 miliardë eurosh (2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi). Nga kjo shumë totale secili vend do të përfitojë një shumë proporcionale, bazuar në numrin e banorëve dhe bruto produktin e brendshëm, në shkëmbim të zbatimit të reformave të parapara në Agjendat e Reformave.

Last modified: 11 Dhjetor, 2024

Comments are closed.