Prishtinë, 1 prill 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit vlerësoi se është për admirim puna e bërë gjatë tërë këtyre viteve nga kompanitë e sigurimeve, të cilat falë përkushtimit të tyre vitin e kaluar kanë arritur një ngritje mbi 8 për qind.
Duke bërë të ditur uljen tatimeve për këtë biznes, kryeministri Hashim Thaçi tha se beson që këto reduktime të ndërmarra nga Qeveria do të jenë një ndihmë shtesë për kompanitë e sigurimeve, në veçanti gjatë kësaj periudhe të krizës globale financiare.
“Si rezultat i politikave të reja dhe reformave qeveritare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të reduktojë preminë nga 7 në 5 për qind si hap fillestar për kompanitë e sigurimeve. Pra, polisat e sigurimit në të cilat të përfshira do të jenë sigurimet e përgjithshme, sigurimet e veturave, sigurimin shëndetësor, sigurimin e pronës, sigurimin ndaj aksidenteve, etj”, deklaroi kryeministri Thaçi.
“Vendimi për uljen e tarifave tatimore përveç që do të sjellë lehtësime për kompanitë e sigurimeve që të jenë më profitabile, do të ndikojë edhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh në vazhdim kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe shtoi se “janë duke u diskutuar edhe mundësitë e përshpejtimit të procesit për nxjerrjen e ligjit për sigurime dhe ligjin për sigurimet e detyruara, sikurse në kuadër të mundësive e potenciale të qeverisë do të trajtohet edhe sigurimi i jetës”.
Ndërkaq, kryetari i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve, Visar Rrustemi, pas takimit me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, theksoi se kjo është një lehtësi mjaft e madhe dhe këta janë hapat e parë që janë bërë që biznesi i sigurimeve të lehtësohet në veprimet e tij.
Z.Rrustemi tha se me këtë ulje nga 7 në 5 për qind do të përfitojnë kompanitë, por në një formë edhe qytetarët, sepse do të ketë shërbime më kualitative dhe me të lira.
“Faktikisht do të përfitojnë kompanitë, por do të rritet kualiteti i shërbimeve dhe në aspektin e ndërsjellët do të përfitojnë edhe qytetarët. Neve si biznes i sigurimeve kemi qenë të ngulfatur që prej vitit 2002 dhe asnjëherë nuk na është dëgjuar zëri, por tash e tutje janë hapat e parë në krijimin e lehtësirave fiskale për biznesin e sigurimeve dhe do të përfitojnë edhe kompanitë, por njëherësh do të përfitojnë edhe qytetarët se do të kenë shërbime edhe më të lira, por edhe më kualitative”, ka përfunduar z.Rrustemi.
Last modified: 1 Prill, 2009