Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e rregullt të 42-të, ka miratuar vendimin për zhvillimin e projektit për ndërtimin e “Hidrocentralit Zhur”

30 Tetor, 2008

Prishtinë, 31 tetor 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka vlerësuar zhvillimet gjatë javës së kaluar dhe ka theksuar përfundimin e propozimit final të projektbuxhetit për vitin 2009, që do të aprovohet nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ardhshme.
 
Kryeministri Thaçi ka shprehur qëndrimin se Projektbuxheti i këtij viti është në harmonizim të plotë mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, dhe se paraqet një projekt real të shpenzimeve dhe investimeve gjatë vitit në vijim.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionalizimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, i cili duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë i kushtëzuar.
 
Qeveria ka marrë vendimin për zhvillimin e projektit “Hidrocentrali Zhur“, duke u bazuar në modelin e partneriteti publiko-privat. Këtë vendim, Qeveria e ka bazuar në Strategjinë e Energjisë së Kosovës (2005-2015) dhe obligimeve që dalin nga Traktati mbi Themelimin e Komunitetit të Energjisë në Evropën Juglindore, sipas të cilit duhet implementuar politikat e BE-së për sektorin e energjisë, ku kërkohet që deri në vitin 2020 së paku 20 % e energjisë së prodhuar duhet të jetë nga burimet e ripërtërishme (uji, era, biomasa, etj.). Kosova, aktualisht prodhon nga burimet e ripërtërishme vetëm 3 % të energjisë.
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar rëndësinë e këtij projekti dhe ka shprehur zotimin e Qeverisë së Kosovës për realizimin e tij. Sipas parallogarisë, pritet që në këtë projekt të investohen rreth 300 milion euro, dhe nga ky projekt do të fitohen rreth 300 MVh të energjisë elektrike. Për realizimin e këtij projekti do të krijohet Komiteti Drejtues Ndërministror, që do të shqyrtojë realizimin e projektit, dhe, i cili, rregullisht do t’i raportojë Qeverisë së Kosovës për mbarëvajtjen e realizimit të tij.
 
Në mbledhjen e sotme, Kabineti qeveritar ka vendosur që të ndajë mjetet financiare për funksionimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, dhe ka vlerësuar rëndësinë e funksionalizimit të këtij organi.. Gjithashtu, është aprovuar propozimi Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që Departamentit të Shërbimeve të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave t`u jepet leja për kryerjen e punëve projektuese nga lëmia e ndërtimtarisë, arkitekturës, elektrikës, makinerisë, hidroteknikës dhe dizajnit. Leja do të vlejë vetëm për punët projektuese, për nevoja të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.
 
Me kërkesën e Ministrisë së Shërbimeve Publike është formuar komisioni, i cili do të mbikëqyrë kalimin e objekteve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në menaxhim të Ministrisë së Shërbimeve Publike. Komisioni do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Shërbimeve Publike, Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
 
Qeveria ka aprovuar edhe projektvendimin për lejimin e shfrytëzimit të mjeteve nga programi i Marrëveshjes Bilaterale, i cili do të lejojë shfrytëzimin e këtyre mjeteve financiare për sigurimin e bursave për studentë.
 
Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2008 për Pagesat e Personelit të Regjistrimit të Popullsisë, i cili është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme, do të mundësojë pagesën e personelit të angazhuar në regjistrimin e popullsisë.
 
Qeveria ka miratuar një paketë të projektvendimeve për ndryshime në politikat fiskale në Kosovë në të cilin përfshihen Projektvendimi për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/11 për Tatimin në Vlerën e Shtuar, që ka të bëjë me shkallën e tatimore të këtij lloj tatimi.
 
Po ashtu në këtë mbledhje u miratuan Projektvendimi për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2004/51 për Tatimin në të Ardhurat Korporatave, që ka të bëjnë me ndryshimin e normës tatimore të tatimit në të ardhurat e Korporatave nga 20 % në 10 %, Projektvendimi për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2004/52 për Tatimin në të Ardhurat Individuale, Projektvendimi për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2007/13 për Normën e Akcizës në Kosovë. 

Last modified: 30 Tetor, 2008

Comments are closed.