Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës do të përforcojë strukturat e saj për përafrim të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, – thekson kryeministri Thaçi

13 Nëntor, 2008

13 Nëntor 2008
 
Fjala e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Konferencën me temën „Drejt Kornizës Juridike në Kosovë, të harmonizuar me Acquis Communautaire – perspektivat, politikat dhe teknikat”, organizuar nga ECO dhe B&S Europe.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Kosova gjendet në një fazë shumë të rëndësishme të ardhmërisë së saj drejt integrimit në BE. Këto ditë kemi pranuar në mënyrë shumë serioze dhe miqësore Raportin e Progresit, që paraqitet si një udhërrëfyes drejt arritjes së këtij qëllim. Ky raport do të adresohet nga qeveria me veprime konkrete karshi Komisionit Evropian, në fillim të dhjetorit, në mbledhjen plenare të Mekanizmit të Stabilizim Asocimit.
 
Në partneritetin e saj me Bashkimin Evropian, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dokumente të rëndësishme, si Plani për Integrim Evropian dhe Plani i Veprimit për implementimin e Partneritetit Evropian (PVPE).
 
Në fushën e legjislacionit, Kosova është duke u përpjekur që Ligjet e saj të jenë kompatibile me ato te BE-së. Secili projektligj studiohet mirë nga Agjencia për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrime Evropiane, në mënyrë që të sigurohemi se projektligji nuk i cenon parimet e përgjithshme të Legjislacionit të BE-së. Qeveria do të përforcojë strukturat e saj për përafrim të legjislacionit në të gjitha ministritë, por edhe në nivel të Zyrës së Kryeministrit.
 
Në vazhdën e kësaj, prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës është hartimi i Strategjisë për përkthimin e Acqui Communitaire, me të cilin veprim institucionet e Kosovës do të mund të kuptojnë më mirë legjislacionin e BE-së.
 
Në këtë proces do të kemi bashkëpunim të sinqertë dhe të ngushtë me vendet e rajonit, ku gjuha Shqipe dhe ajo Serbe është zyrtare, si në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi dhe po ashtu edhe Serbia me qëllim të unifikimit të terminologjisë në versionet përkatëse.
 
Kjo është një veprimtari e gjerë e cila përfshin përkthimin profesional të afër 100 000 faqeve që përfshijnë mbi 35 mijë akte juridike, në mbi 30 fusha të ndryshme, si ekonomia, tregu i lirë, demokracia, sundimi i ligjit etj.
 
Republika e Kosovës vitin e ardhshëm pret një vit shumë të rëndësishëm, ku ndër të tjerash në fillim të vitit do të fillojë procesi i studimit të fizibilitetit, proces ky që do të tregojë përparimet dhe arritjet e Kosovës për nënshkrimin e procesit të Stabilizim Asocimit.
 
Ky është një proces shumë i rëndësishëm pasi që vetëm shtetet serioze, për të cilat edhe BE ka bërë përkushtimin, i nënshtrohen studimit të fizibiliteit dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë.
 
Ju faleminderit për vëmendje.

Last modified: 13 Nëntor, 2008

Comments are closed.