Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi mbrëmë në fshatin Zallq të Burimit

13 Maj, 2010

Prishtinë, 13 maj 2010

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi mbrëmë në fshatin Zallq të Burimit (Istogut).

E ritheksojmë edhe njëherë se Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike. Toleranca dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes këtyre komuniteteve, është ndër vlerat më të larta të shtetit tonë të ri.
 

Në kuadër të prioriteteve të saj kryesore, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar dhe po dëshmon në vazhdimësi përkushtimin e saj për respektimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve. Në këtë drejtim, qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur kthimin e personave të shpërngulur në pronat dhe shtëpitë e tyre në Kosovë.

Sulmi ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi mbrëmë në Zallq, është një akt i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që aktorët e këtij sulmi të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Last modified: 13 Maj, 2010

Comments are closed.