Prishtinë, 18 shtator 2017
E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të tretë në të cilën ka miratuar Programin e Qeverisë, Programin Legjislativ dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për lirinë fetare.
Qeveria ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017 – 2021, ta cilin kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar si vizion qeverisës të koalicionit dhe kontribut të resorëve ministror.
Ai përmbledh objektivat qeverisës dhe zhvillimor të cilat do t’i zbatojë kjo qeveri brenda këtij mandati qeverisës.
Programi i Qeverisë do të publikohet dhe do bëhet i qasshëm për publikun si dhe do të përcillet në Kuvendin e Kosovës për debat nga deputetet.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Programin legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për lirinë fetare.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka informuar kabinetin qeveritar për situatën e krijuar në transportin e udhëtarëve, të cilat kanë lindur si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes të Stacionit të Autobusëve dhe shoqatave të transportuesve të udhëtarëve.
Kurse kryeministri ka shprehur shqetësimin për vrasjen e të riut, Aulon Zeka, në Prishtinë dhe ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masat në rritjen e sigurisë për qytetarët si dhe në parandalim të rasteve të tilla.
Në këtë rast kryeministri Haradinaj ka ngushëlluar familjen Zeka për humbjen e birit të tyre.
Last modified: 18 Shtator, 2017