Zyra e Kryeministrit

Politika e bashkëpunimit, katalizator i përshpejtimit të procesit integrues, – u tha në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

11 Shkurt, 2010

Prishtinë, 11 shkurt 2010

Në hapje të takimit kryeministri i Qeverisë së  Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka adresuar prioritetet strategjike për vitin 2010 dhe të rekomandimeve nga takimi i Dialogut të procesit të Stabilizim Asociimit për fushën e drejtësisë, lirive dhe të sigurisë.

“Procesi i Integrimit Evropian do të jetë një proces sa teknik po aq edhe politik gjatë të cilit ne do të lobojmë për njohje të reja nga vendet anëtare të BE-së të cilat së bashku do të japin miratimin e tyre për nënshkrimin e marrëveshjes. Të gjitha këto aktivitete janë në vazhdën e përkushtimit tonë si Qeveri e Kosovës për ta shtyrë Agjendën Evropiane përpara. Këto iniciativa duhet mbështetur me punë konkrete, pra duke i përmbushur kriteret që kërkohen”, tha kryeministri Thaçi

Kryeministri Thaçi më tutje ka pohuar se Këshilli Ministror për Integrim Evropian është mekanizmi më i lartë për monitorimin e implementimit e sfidave dhe prioriteteve karshi agjendës Evropiane, ku çdo tre muaj do bëhet raportimi nga Ministrat në lidhje me përmbushjen e sfidave të dala nga raporti i progresit dhe sfidave të tjera në procesin e Integrimit Evropian.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka thënë se bashkëpunimi ndërministror është një ndër parakushtet themelore për sukses të çdo administrate shtetërore në fushën e integrimit evropian.

“Në kuadër të rishikimit funksional, ne si Qeveri, kemi vërejtur se ekziston vullneti dhe energjia e të gjithë sektorëve në Qeveri për të ndjekur rrugën integruese evropiane.

Megjithatë në kuadër të këtij rishikimi është parë si imediate rishikimi i  rritjes së koordinimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë ndërministror, me qëllim rritjes së progresit të të gjitha aspekteve integruese”, ka thënë z. Kuçi, duke shtuar se koordinimi ndërministror, duhet të mënjanojë dualizmat në disa punë në procesin e integrimeve evropiane në dy aspekte, e para në shkëmbimin e informative në mes të institucioneve dhe e dyta në informimin e mirëfilltë për atë çka është duke bërë secili institucion veç e veç.

Më tutje z. Kuçi ka shtuar se politika e bashkëpunimit do të krijojë një strategji uniforme për politikën integruese evropiane, do të rritë konkurrencën e brendshme ndërinstitucionale, do të ndihmojë në shkëmbimin e eksperiencave të institucioneve të vendit dhe do të jetë një katalizator i përshpejtimit të procesit integrues.

Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka ftuar për bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve dhe në veçanti me Agjencinë për Koordinim dhe Zhvillim të Integrimeve Evropiane.

Në vazhdim të takimit ministrat kanë raportuar për aktivitetet dhe veprimet në fushat përkatëse siç janë:  Reforma e sistemit gjyqësor (MD), Reforma e Administratës Publike (MAP), Luftimi i Korrupsionit (AKK), Liberalizimi i regjimit të vizave (MPB),  Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare (ZKM), Liria e shprehjes (KPM), Bashkëpunimi rajonal (ZKM) dhe Luftimi i Ekonomisë jo formale (MEF) 

Edon Cana, kryeshef Ekzekutiv nga Agjencia për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrim Evropian ka thënë se me qëllim të adresimit të sfidave të Raportit të Progresit dhe përmirësimit të cilësisë së PVPE-së, ne janar 2010 AKZHIE ka filluar me procesin e rishikimit të PVPE-së

“Procesi i rishikimit të PVPE-së ka për qëllim uljen e numrit të veprimeve, por njëkohësisht duke marr parasysh vendosjen e veprimeve të arritshme për periudhën afatmesme dhe afatshkurtër. Gjatë rishikimit AKZHIE, Ministritë e linjës dhe institucionet tjera do të kenë rolin kyç në propozimin e veprimeve të reja, kujdes i veçantë do t’i kushtohet ndërlidhjes të secilit veprim me Prioritetet e Partneritetit Evropian dhe sfidat e Raportit e Progresit 2009“, ka pohuar z. Cana .

Last modified: 11 Shkurt, 2010

Comments are closed.