Zyra e Kryeministrit

Nën përkujdesjen e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së profesor Ejup Statovcit

19 Tetor, 2009

Prishtinë, 19 tetor 2009

Në vazhdim po japim të plotë fjalën e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi

 

E nderuara familje Statovci,
I nderuar rektor Rugova,
Të nderuar ministra,
Të profesorë,
Drejtues të lëvizjes studentore,
Zonja dhe zotërinj,
 
Jam jashtëzakonisht i nderuar që në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shpreh respektin për një figurë madhore të kombit shqiptar, për një profesor të nderuar, për një udhëheqës, i cili me aq dije dhe guxim diti jo vetëm ta drejtojë Universitetin e Prishtinës, por ta bashkojë inteligjencën e Kosovës përballë lëvizjeve kombëtare.
 
Universiteti i Prishtinës ka ndarë fatin e popullit të vet, popullit shqiptar të Kosovës,  që nga themelimi i tij.
 
Ne shprehim respektin e plotë për figurat e ndritura, që kanë ndikuar në themelimin e Universitetit, si, profesor Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja; për profesorët e nderuar që ndikuan në mbijetesën e Universitetit të Prishtinës të prirë nga profesor Ejup Statovci, Eshref Ademaj, Xhavit Ahmeti dhe shumë të tjerë.
 
Profesor Ejup Statovci bashkonte figurën e një intelektuali, i cili jo vetëm që ndante fatin e studentit të tij, me universitetin e tij, me popullin e tij, por dilte në ballë të atij fati dhe mbante edhe përgjegjësinë edhe individuale për ndryshimet pozitive që ndodhën më pastaj në Kosovë.
 
Kam pasur fatin dhe nderin të jem student i tij dhe bashkëpunëtor i profesorit të ndjerë, ish-rektorit, Ejup Statovcit.
 
Tek ai ke mundur të gjesh disa personalitete, që rrallë kund mund t’i gjesh te një njeri; një njeri, i cili dijen e ka mbi të gjitha dhe atë dije e vë në funksion të bartjes në kujtesë te të tjerët, në funksion të ndërtimit, që e përdorte shpesh atë fjalë.
 
Sa më shumë që sot e ndërtojmë shtetin e Kosovës, e funksionalizojmë dhe e ndërtojmë Universitetin e Prishtinës, aq më shumë e respektojmë një personalitet si Ejup Statovci, që aq shumë bëri për Universitetin dhe për të gjithë ne.
 
Sot, kur po kthehet kujtesa jonë e freskët për rektorin Statovci, kur po kthehet kujtesa dhe dhimbja jonë për mungesën e tij, edhe në Universitet, edhe në Rektorat si dhe institucione e shoqërinë tonë, po ashtu po e forcojmë krenarinë populli ynë.
Universiteti ynë pati një personalitet të tillë.
 
Jam i bindur që familja Statovci ndjehet e nderuar, por dhe Universiteti dhe Kosova që kishte një personalitet të tillë.
 
Jam i bindur që jeta dhe vepra e tij janë të shënuara në Universitetin dhe Kosovën tonë të dashur, por mbi të gjitha kujtesa dhe motivi që e ka bërë ai, do të jetë një shembull për të gjithë ne.

 

Last modified: 19 Tetor, 2009

Comments are closed.