Zyra e Kryeministrit

Ne synojmë të zhvillojmë edhe më tej një shoqëri demokratike, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, – theksoi kryeministri Thaçi në Bruksel

10 Korrik, 2008

Bruksel, 10 korrik 2008
 
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq, 
 
Është kënaqësi e madhe për mua të shoh kaq shumë miq këtë mbrëmje këtu.
 
Ky është një rast i relaksuar dhe joformal dhe nuk është momenti për fjalime të gjata.
 
Megjithatë, desha të shfrytëzoj këtë mundësi para së gjithash sinqerisht të falënderoj Komisionin Evropian për organizimin e Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet nesër dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në përgatitjen e saj.
 
Po ashtu, jam i vetëdijshëm se është dashur shumë punë për përgatitje. Një falënderim i përzemërt për të gjithë ata që ishin të angazhuar.
 
Konferenca e nesërme është një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën e re. Ne e dimë se po kërkojmë një shumë mjaft substanciale parash. Ne po ashtu e dimë se kjo arsyetohet nga:
 
        Nevojat.  Shumë njerëz në Kosovë jetojnë në varfëri dhe infrastruktura ka nevojë për përmirësime. Ne veçse jemi duke punuar shumë në këtë fushë.
 
         Ambiciet.  Ne synojmë që edhe më tej të zhvillojmë një shoqëri demokratike, paqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha komunitetet, si dhe një ekonomi prosperuese.
 
        Vendosmëria jonë për t’i shpenzuar paratë në mënyrë racionale dhe të mençur, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke eliminuar humbjet dhe korrupsionin.
 
 
Këtë mbrëmje do të doja që ju të gjithë të shijoni një pjesë të Kosovës. Ju të cilët veçse keni qenë atje, e dini se është një vend i një trashëgimie të pasur kulturore.
 
Këtë mbrëmje mund t’u sjellim vetëm një pasqyrë të vogël të saj, por po ashtu mund t’ju sjellim edhe gjëra konkrete si verë dhe ushqim të Kosovës.
 
Ju lutem t’i shijoni.
 
Po ashtu, ejani në Kosovë që të njiheni më mirë me vendin dhe me më shumë njerëz tanë.
 
Ata, të gjithë, nga të gjitha përkatësitë dhe të gjitha komunitetet, janë pasuria jonë më e madhe. Kur ne i bashkojmë energjitë duke punuar së bashku, ne do të ndërtojmë një të ardhme të ndritshme.
 
Rruga përpara është e gjatë, por:
 

  • me vendosmëri për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe demokratik, me standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, dhe të trashëgimisë kulturore dhe fetare;
  • me vizionin për integrim në NATO, BE dhe për marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara. 
  • me mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, ne do t’ia dalim. 

 Edhe njëherë ju falënderoj që jeni me ne.
 
Ne vërtet shpresojmë që ju do të kaloni mirë këtë mbrëmje dhe pres me padurim t’u shoh nesër kur fillojnë përpjekje të reja për zhvillimin e vendit tonë.  

Last modified: 10 Korrik, 2008

Comments are closed.