Zyra e Kryeministrit

Në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, Kryeministri Kurti mori pjesë në diskutimin e hapur me nxënës

1 Qershor, 2023

Prishtinë, 1 qershor 2023

Në kuadër të aktiviteteve, në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në diskutimin e hapur me nxënës të komunave të ndryshme të vendit, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Para fëmijëve të shumtë dhe të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se përpjekjet e Qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për realizimin e atyre të drejtave dhe për ngritjen e mirëqenies së fëmijëve, janë edhe të vazhdueshme edhe konkrete. Ai tha se qeveria është duke e zbatuar Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve dhe ato sektoriale, të cilat prekin interesat e fëmijëve.

Arsimin publik e kemi bërë falas në të gjitha nivelet, kemi miratuar në Qeveri dhe i kemi dërguar në Kuvend 3 ligje shumë të rëndësishme, Ligjin për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme; Ligjin për Tekste Shkollore dhe Ligjin për Arsimin e Lartë.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është aprovuar Strategjia e Arsimit 2022-2026, të cilat janë të domosdoshme, sepse politikat qeveritare, politikat publike përbëhen prej dy komponentëve kryesore: prej ligjeve, legjislacionit dhe strategjive. “Nuk mjafton veç ligji, nuk mjafton veç strategjia, duhen të dyja. Pra, politikat janë ligje plus strategji. E tash ne e kemi aprovuar Strategjinë për Arsim 2022-2026”, tha ai.

Kryeministri Kurti ka përmendur punësimin e 160 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, 20 inspektorëve të arsimit, derisa potencoi se është duke u punuar në kurrikula për edukimin në fëmijëri të hershme.

Në këtë diskutim u theksua po ashtu përkrahja prej 200 mijë euro për organizatat që mbështesin fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë në qendrat mësimore, 200 mijë euro tjera përkrahje për projektet e organizatave që mbështesin fëmijët me potencial të jashtëzakonshëm, ndarja e 500 bursave në vit për nxënësit romë, ashkali dhe egjiptian. Po ashtu, kryeministri tha se përmes pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5, janë ndarë 957 kuponë për maturantë që janë trajnuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 600 euro për kandidatë.

Për fëmijët tanë në mërgatë, kryeministri tha se është botuar teksti Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1 për fëmijët në mërgatë, në mënyrë që të kenë edhe integrim atje ku jetojnë, por pa asimilim. “E mësimi i mirë i gjuhës shqipe edhe i kulturës shqiptare është garancion që edhe integrohesh suksesshëm kudo që jeton, por në të njëjtën kohë edhe nuk asimilohesh për nga identiteti që ke”, tha ai, duke shtuar se në bashkëpunim me Shqipërinë janë në përgatitje të tekstit të dytë për mërgatën, dhe po ashtu është bërë unifikimi i Abetares kombëtare me Shqipërinë.

Pas fjalës hyrëse, në takim me nxënësit, në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, kryeministri Kurti bashkë me ministren Nagavci, iu përgjigjen interesimit të nxënësve, të cilat kryesisht ndërlidheshin me programin arsimor, edukimin, investimin dhe rritjen e cilësisë në arsim, për të ardhmen, për vullnetarizmin, për të cilat kryeministri tha se Qeveria është duke punuar shumë dhe me përkushtim, dhe për këtë siç tha ai, është me rëndësi lidhja e arsimit me punësimin.

Fjala e kryeministrit Kurti:

Unë jam po ashtu i kënaqur që jam këtu edhe me Ministren Arbërie Nagavci, me drejtorin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredinin, me drejtorin e Save the Children, Ahmet Kryeziun, dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, të Save the Children dhe të Organizatës Syri Vision.

Përpjekjet e Qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për realizimin e atyre të drejtave dhe për ngritjen e mirëqenies së fëmijëve, janë edhe të vazhdueshme edhe konkrete. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve dhe ato sektoriale, të cilat prekin interesat e fëmijëve.
Arsimin publik e kemi bërë falas në të gjitha nivelet, kemi miratuar në Qeveri dhe i kemi dërguar në Kuvend 3 ligje shumë të rëndësishme:

– I pari është Ligji për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme;
– I dyti është Ligji për Tekste Shkollore dhe
– I treti është Ligji për Arsimin e Lartë.

Strategjinë e Arsimit 2022-2026, e kemi aprovuar. Strategjitë janë të domosdoshme, sepse politikat qeveritare, politikat publike përbëhen prej dy komponentëve kryesore: prej ligjeve, legjislacionit dhe strategjive. Nuk mjafton veç ligji, nuk mjafton veç strategjia, duhen të dyja. Pra, politikat janë ligje plus strategji. E tash ne e kemi aprovuar Strategjinë për Arsim 2022-2026.

Për dy vite janë punësuar 160 asistentë për fëmijë më aftësi të kufizuara edhe 300 janë në proces, e gjatë këtij mandati pa dyshim që e mbërrijmë e mbase edhe e tejkalojmë numrin prej 500 sosh. 20 inspektorë të arsimit po punësohen tani dhe po aq në çdo vit derisa të arrihet numri i nevojshëm për mbikëqyrjen e shkollave dhe nevojat përkatëse të tyre.

Është duke u punuar në kurrikula për edukimin në fëmijëri të hershme. 200 mijë euro përkrahje i kemi ndarë për organizatat që mbështesin fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë në qendrat mësimore. Meqenëse këto komunitete e kanë gjendjen më të vështirë edhe materiale, sociale, por edhe sa i përket përgatitjes edukative dhe arsimore.

Pastaj, 200 mijë euro tjera përkrahje për projektet e organizatave që mbështesin fëmijët me potencial të jashtëzakonshëm. 500 bursa në vit për nxënësit romë, ashkali dhe egjiptian. Dhe përmes pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5, janë ndarë 957 kuponë për maturantë që janë trajnuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 600 euro për kandidatë.

Programi për asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta i nivelit të 5-të është në zbatim.
Programi kualifikues për këshilltarë të karrierës është në proces të akreditimit në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve. Pra, teksa mëson, zbulon, ushqen talent, po në të njëjtën kohë edhe fillon edhe e formëson vendimin tënd të ardhshëm se çfarë profesioni do të kesh në jetë. Pra, profesionet nganjëherë zgjidhen vonë, por nganjëherë edhe zgjidhen herët në jetë, varësisht se kur zbulohen dhe në çfarë përmase kultivohen prirjet e talentet e fëmijëve.

Pas përfundimit të ndërtimit të katër objekteve shkollore me sipërfaqe të objekteve totale 7100 metra katrorë me investime nga MASHTI, në vazhdim janë duke u ndërtuar edhe 21 objekte shkollore dhe fillon ndërtimi i pesë shkollave. Ka përfunduar ndërtimi i një çerdhe me sipërfaqe 600 metra katrorë, për fëmijë pra, dhe vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve e do të filloj ndërtimi edhe i 15 çerdheve sërish me investime nga MASHTI.

Ka përfunduar ndërtimi i tri sallave të edukatës fizike me sipërfaqe 2105 metra katrorë dhe do të vazhdon ndërtimi i 13 sallave të edukatës fizike, sepse në të kaluarën janë ndërtuar shkollat, po nuk është ndërtuar edhe salla e edukatës fizike, që është edhe gabim edhe dëm.

Janë pajisur me inventar sportiv 22 salla të edukatës fizike, 27 shkolla janë furnizuar me inventar shkollor dhe 34 shkolla me pajisjes për mirëmbajtje të objekteve arsimore në arsimin paraunversitar.

Për fëmijët tanë në mërgatë e kemi botuar tekstin Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1 për fëmijët në mërgatë, në mënyrë që të kenë edhe integrim atje ku jetojnë, por pa asimilim. E mësimi i mirë i gjuhës shqipe edhe i kulturës shqiptare është garancion që edhe integrohesh suksesshëm kudo që jeton, por në të njëjtën kohë edhe nuk asimilohesh për nga identiteti që ke.

Në bashkëpunim me Shqipërinë jemi në përgatitje të tekstit të dytë për mërgatën, sepse ky ishte vetëm Niveli 1, dhe e kemi bërë unifikimin e Abetares kombëtare me Shqipërinë.

Pra, këto janë disa prej të arriturave si Qeveri e Republikës së Kosovës që i kemi bërë për nxënësit, për fëmijët, duke e vënë theksin te arsimi edhe edukimi si vendimtar edhe për formimin e mirë të personaliteteve, por njëkohësisht edhe për ndjekjen e suksesshme të profesioneve në të ardhmen.

Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve që në bëtë bashkë sot për këtë diskutim të hapur.

Last modified: 1 Qershor, 2023

Comments are closed.

×