Prishtinë, 07 mars 2009
Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore e Zyrës së Kryeministrit, filloi sot konferenca dy ditore ndërkombëtare në Prishtinë me temën: “ Gjinia dhe Identiteti”.
Konferencën e shpalli të hapur Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj.
Në vazhdim po japim fjalën përshëndetëse të Zëvendëskryeministrit , Ramë Manaj.
Të nderuara dhe të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë dhe nderin të jem sot me Ju për të rikonfirmuar edhe njëherë përkushtimin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrimin e vazhdueshëm institucional të perspektivës gjinore.
Një vit i pavarësisë së Kosovës ka dëshmuar fuqishëm përcaktimin tonë për demokraci, tolerancë, barazi dhe mirëqenie të sigurt për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës, pa dallime të përkatësisë etnike, gjinore, të kulturës apo të besimit.
Qeveria e Kosovës përmes platformës së saj politike dhe përmes ndërtimit funksional të mekanizmave institucional është promotori i angazhimeve dhe i hapave të qëndrueshëm për promovimin dhe avancimin e çështjeve gjinore si parakusht për integrimin e shtetit të Kosovës në familjen e madhe të shteteve demokratike evropiane dhe transatlantike.
Të nderuara dhe të nderuar pjesëmarrës,
Konferenca dyditore “Gjinia dhe Identiteti”, e organizuar nga mekanizmi qeveritar – nga Agjencia për Barazi Gjinore, nuk është vetëm një tregues për prioritetet tona të përbashkëta, por është edhe një shenjë e përcaktimeve institucionale për tejkalimin e sfidave dhe për krijimin e hapësirave të reja për ndërtimin e vlerave të shoqërisë sonë duke inkuadruar natyrshëm gruan dhe rolin e saj të madh në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë përmes ratifikimit dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare.
Konferenca “Gjinia dhe Identiteti” është edhe një shenjë dhe kontribut i çmueshëm në zhvillimin e vlerave demokratike të shtetit të Kosovës, në të cilin do të angazhohemi së bashku për:
- fuqizimin dhe avancimin e rolit të gruas në të gjitha sferat e jetës,
- avancimin e mëtejshëm të drejtësisë gjinore sipas standardeve ndërkombëtare,
- zhvillimin e qëndrueshëm dhe të barabartë të grave dhe burrave,
- përmirësimin e kushteve dhe të pozitës së grave,
- analizën, rritjen e fuqisë vendimmarrëse dhe aksesin gjinor,
- implementimin e nevojave dhe interesave strategjike gjinore, duke ndërtuar edhe një mekanizëm imediat për integrimin gjinor, siç do të jetë Instituti për Hulumtime dhe Studime Gjinore.
Të nderuara pjesëmarrëse,
Të vetëdijshëm se projekti jonë madhor i ndërtimit të shtetit është i pamundur pa respektimin e vlerave gjinore dhe të vetëdijshëm se kjo konferencë paraqet një nismë shumë të rëndësishme në proceset e mëtejshme, në emër të urimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më lejoni të jap përkushtimin dhe premtimin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e përhershme të vlerave të gruas dhe të integrimit të perspektivës gjinore në të gjitha sferat e jetës.
Të nderuara dhe të nderuar pjesëmarrës,
Në fund, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të shpalli të hapur Konferencën Dyditore Ndërkombëtare “Gjinia dhe Identiteti” duke ju dëshiruar mbarësi dhe punime të suksesshme.
Last modified: 7 Mars, 2009