Zyra e Kryeministrit

Ministrja Edita Tahiri takoi delegacionin nga Komuna e Medvegjës

20 Mars, 2015

Prishtinë, 20 mars 2015
 
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri takoi delegacionin nga Komuna e Medvegjës të kryesuar nga zëvendëskryetari i Komunës së  Medvegjës Florim Sahiti  dhe këshilltarët Fidan Kosumi dhe Burim Uka. Në takim ishte i pranishëm edhe Deputeti i Kuvendit të Kosovës Nait Hasani.
 
Në takim u bisedua për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në veçanti në Komunën e Medvegjës si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.
 
Ministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës përcjellë nga afër gjendjen në komunën e Medvegjës dhe në përgjithësi të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe angazhohet  për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve duke kërkuar nga Serbia që të ndal politikat diskriminuese dhe të garantoj të drejtat etnike të shqiptarëve sipas standardeve ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm realizimin e të drejtave etnike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës sepse kjo është një çështje nacionale për neve dhe interes nacional. Në veçanti jemi të brengosur për gjendjen në komunën e Medvegjës prej nga po largohen shqiptarët në mungesë të perspektivës dhe diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve në çdo fushë të jetës, tha ajo. Ministrja Tahiri vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes Qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve atje, në mënyrë që të zgjidhen problemet e tyre dhe të krijohen kushtet për kthimin e shqiptarëve në Medvegjë e komuna tjera.
 
Zëvendëskryetari i Komunës Florim Sahiti në këtë takim paraqiti gjendjen e rëndë të shqiptarëve në komunën e Medvegjës në të gjitha aspektet dhe kërkoi përkrahje më të madhe nga Qeveria e Kosovës në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen. Në takim ai kërkoi që të lehtësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të asaj ane përmes hapjes së dy pikëkalimeve të reja kufitare, si dhe pikëkalimi në Mutivodë të hapet edhe për lëvizjen e lirë të mallrave. Po ashtu, ngriti shqetësimet për mosnjohjen e diplomave universitare të Kosovës nga ana e Serbisë me të cilën po cenohen perspektivat e shqiptarëve atje duke iu pamundësuar punësimi dhe kontributi i tyre për zhvillimin e komunës dhe të arsimit shqip. Z. Sahiti foli edhe për format tjera të diskriminimit ndaj tyre nga ana e Serbisë duke potencuar se si pasojë e shtypjes shumica e shqiptarëve është larguar jashtë vendit.
 
Ishte konkluzion i përbashkët që duhet të forcohen lidhjet dhe bashkëpunimi i mëtejmë si dhe të vazhdohet komunikimi i rregullt për t’u angazhuar së bashku për zgjidhjen e problemeve.

Last modified: 20 Mars, 2015

Comments are closed.