Prishtinë, 8 prill 2013
Në tekstin e mesazhit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në përvjetorin e pestë të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet:
Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës – 9 Prilli, është ndër momentet historike më të rëndësishme të shtetit demokratik të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të Kosovës për t’u bërë entitet i barabartë me kombet e lira dhe sovrane.
Dita e Kushtetutës është ngjarje e rëndësishme politike, sepse Kosova për herë të parë sanksionoi vullnetin demokratik të qytetarëve të saj, duke shprehur të drejta dhe obligimet e individit dhe të shoqërisë me frymën më të lartë demokratike.
Pesë vjetori i Kushtetutës, është datë e forcimit të lirisë, e konsolidimit të demokracisë, rritjes së tolerancës, emancipimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Në këtë pesë vjetor, ritheksojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të respektohet dhe do të jetësohet plotësisht në çdo cep të territorit të vendit tonë dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë. Edhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë padyshim që do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Qytetarët e Kosovës, pesë vjetorin e Ditës së Kushtetutës e presin me perspektivë të qartë evropiane dhe euroatlantike, me përkushtimin e lartë institucional për avancimin e vlerave të qeverisjes së mirë, sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve tanë.
Urime 9 Prilli – Dita e Kushtetutë së Republikës së Kosovës!
Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 8 Prill, 2013