Prishtinë, 23.12.2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Krishtlindjeve.
Shumë i nderuari Imzot Dodë Gjergji,
Shumë të nderuar besimtarë,
Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ua uroj festën e madhe të Krishtlindjeve.
Kjo festë kremtohet gjerësisht në shumë vende të lira, të përparuara dhe me zhvillim të lartë kulturor, shkencor dhe demokratik.
Përmes kësaj feste bota e krishterë përçon mesazhin e lindjes së besimit në idetë e kulturës dhe civilizimit perëndimor, në vlerat e humanizmit dhe mirësisë globale.
Kjo festë kremtohet në Kosovë me dinjitet dhe respekt të lartë në të gjitha familjet e besimit katolikë, duke i dhënë shkëlqim dhe solemnitet respektit të vazhdueshëm për njëri tjetrin.
Uroj që Krishtlindjet në Kosovë, të gjitha familjeve besimtare t’u sjellin edhe më shumë lumturi, begati, harmoni, paqe dhe përparim në të gjitha fushat.
Kosova këtë fund të vitit është duke e shënuar me të arritura të rëndësishme si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Shfrytëzoj rastin që festën e Krishtlindjeve t’ua uroj të gjithë besimtarëve ndërkombëtarë , të pranishëm në misione të ndryshme në Kosovë.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Last modified: 23 Dhjetor, 2009