Qytetarë të nderuar,
Deri sa po i afrohemi fundit të vitit 2009, dua t’ ju falënderoj juve, qytetarë të Republikës së Kosovës, për punën tuaj të palodhshme, për durimin tuaj dhe për përkushtimin tuaj për ta bërë Kosovën një vend të shpresave dhe të ëndërrave tona.
Duke punuar së bashku, kemi arritur suksese të jashtëzakonshme në këtë vit. Si shtet i pavarur dhe demokratik, ne mbajtëm zgjedhjet e para të lira, fer dhe demokratike, që u vlerësuan lart nga të gjithë.
Kosova u bë anëtare e barabartë e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krijuam shumë vend të reja pune me paga të mira.
Ndërtuam me qindra kilometra rrugë të reja, me dhjetëra shkolla të reja, bëmë shumë punë të tjera për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Edhe pse të arriturat e Kosovës ishin të mëdha në vitin 2009, ne duhet, dhe do të vazhdojmë të punojmë me zell, çdo ditë, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme për të gjithë.
Do të vazhdojmë punën e susksesshme të vitit 2009, për ta bërë vitin 2010 edhe më të mirë se vitin që po e lëmë pas.
Këtë do ta arrijmë duke vazhduar punën e përbashkët që ka një qëllim të vetëm: krijimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë.
Pra, le të vazhdojmë ta lëmë politikën mënjanë dhe të përqëndrohemi në atë që është me të vërtetë e rëndësishme: e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëvë tanë dhe e ardhmja e shtetit tonë sovran.
Edhe një herë, ju falemnderit shumë të gjithëve.
Nga unë dhe familja ime, juve dhe familjeve tuaja, përzemërsisht urime për Vitin e Ri 2010.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 31 Dhjetor, 2009