Prishtinë, 24 mars 2008
Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë.
Me rastin e nëntëvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet ushtarake dhe policore serbe, shprehim ndjenjat më të larta të respektit për Aleancën ushtarake, NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare, që u vunë në mbrojtje të Kosovës në ditët më të vështira dhe më vendimtare.
Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë.
Bota demokratike dhe Aleanca më e fuqishme e globit NATO-ja, dhanë kontribut historik në çlirimin e Kosovës, duke bërë që data 24 mars 1999 të jetë fillim i një epoke të re për Kosovën. Populli i Kosovës i është mirënjohës përjetë NATO-s dhe të gjitha shteteve që përkrahën luftën e drejtë.
Pas nëntë vjetësh, sot Kosova është e lirë, ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur dhe demokratik, të njohur ndërkombëtarisht, me përkushtim të veçantë për të mbrojtur të drejtave të minoriteteve dhe me synimin për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shteti demokratik i Kosovës do të jetë gjithmonë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sot, kur kemi përmbyllur kapitullin e ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kujtojmë me nderim të lartë sakrificën sublime të luftëtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve tanë, të cilët ranë që brezat e ardhshëm të jetojnë në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur.
Në këto ditë të përkujtimit të intervenimit të NATO-së mbi caqet serbe, iu shprehim mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe që sot po ndihmojmë forcimin e institucioneve demokratike të vendit tonë.
Mirënjohje të veçantë ju shprehim liderëve dhe personaliteteve botërore që mbështetën luftën e drejtë të popullit tonë për çlirim dhe demokraci, ish-presidentit Klinton, ish-kryeministrit Bler, ish-sekretares Ollbrajt, z.Solana dhe personaliteteve tjera perëndimore.
Edhe në këtë fazë Kosova mirëpret prezencën ushtarake të NATO-s dhe ndihmën e përgjithshme të shteteve demokratike.
Në këtë përvjetor historik për vendin tonë, iu shprehim falënderim të veçantë forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, që garanton lirinë, stabilitetin dhe paqen në Kosovës.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Last modified: 24 Mars, 2008