Zyra e Kryeministrit

Mesazh i Kryeministrit Hashim Thaçi, drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës

1 Nëntor, 2010

Prishtinë, 1 nëntor 2010

Mesazh i Kryeministrit Hashim Thaçi, drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës

Qytetarë të dashur,

Sot, Shteti i Kosovës është duke u përballur me një sfidë politike dhe institucionale, për herë të parë në historinë e vet politike.

Këtë situatë jemi të gatshëm për ta tejkaluar bashkërisht.

Së  bashku do të gjejmë zgjidhje institucionale dhe kushtetuese edhe për situatën e re.

Siç jeni në dijeni, javë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli aktgjykimin se ish-Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Kosovës dhe postin e Kryetarit të partisë së tij politike.

Me zgjedhjen  e tij për të lënë Presidencën dhe për të mbajtur pozitën e tij në krye të partisë së tij,  me vendimin për të tërhequr befasisht ministrat e tij nga qeveria e Republikës së Kosovës,  vendi përfundimisht hyri në krizë institucionale, e deri diku edhe politike.

Këto veprime kanë vënë në lëvizje një sërë veprimesh të parapara me kushtetutë, të cilat kanë detyruar vendin tonë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme.

Këto veprime  më kanë obliguar për angazhime edhe më të mëdha për interesin e shtetit dhe unitetin tonë qytetar.

Vendi dhe qytetarët tanë sot me të drejtë presin dalje nga kjo krizë më shumë se çdo veprim tjetër politik.

Kjo nuk është diçka që qeveria të cilën e udhëheq,  ka dëshiruar të ndodh.

Por, ne jemi një shtet ligjor dhe ligjet e shtetit tonë do të respektohen.
 
Prandaj,  nesër,  si Kryeministër i juaji, do të jem në Parlament kur të votohet mocioni i mosbesimit për qeverinë.

Ky është edhe një test tjetër i rëndësishëm për shtetin e ri të Kosovës.

Ne e kuptojmë dhe e respektojmë këtë mocion si rrugë kushtetuese për dalje nga kjo gjendje, sepse jemi shtet ligjor.

Kushtetuta dhe ligjet  duhet të respektohen dhe do të respektohen deri në fund.

Të dashur qytetarë,

Ju, keni të drejtë dhe duhet ta dini,  se si vend dhe popull, tani jemi në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Dua t’ju siguroj se punët e institucioneve nuk do të ndalen edhe në këto rrethana.

Qeveria e Republikës së Kosovës me kapacitetet e veta aktuale do të vazhdojë të ngrihet mbi interesat partiake.

Unë si Kryeministër i juaji, do të vazhdojë të punoj për të mirën e përgjithshme, në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Dua të besoj se të gjitha partitë politike do të ngrihen mbi interesat partiake dhe do të punojmë së bashku për agjendën shtetërore.

Derisa ne kemi shënuar  të arritura të shumta gjatë kësaj qeverisjeje, edhe në rrethanat e reja nuk do të ndalemi t’ju shërbejmë dhe t’i kryejmë obligimet tona në përmbushjen e nevojave tuaja. 

Ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë fëmijëve tanë shkollimin e tyre,  rrugët do të vazhdojë të ndërtohen, ambulancat dhe spitalet do të vazhdojnë punën, mësimdhënësit, punëtorët shëndetësor, policët, shërbyesit civilë, pensionistët dhe veteranët do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre.

Të dashur qytetarë,

Kur u pavarësua Kosova, ne u zotuam që të jemi shtet i lirë dhe demokratik,  ku vlerat e demokracisë dhe të lirisë do t’i jetësojmë në rend të parë.

Qeveria jonë është zotuar për këto vlera, duke e vënë interesin e Kosovës në rend të parë. 

Pra, së pari Kosova.

Kjo është ajo që sërish kërkohet nga ne.

Me ndihmën tuaj, kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë.

Sot, kur Kosova ballafaqohet me një sfidë kushtetuese, politike dhe të demokracisë, ne së bashku do t’i dëshmojmë botës se sa të fortë dhe të bashkuar jemi.

Kur u zgjodha në detyrë, unë pata premtuar se Qeveria jonë do të jetë në shërbim  të  të  gjithë  qytetarëve  tanë dhe  në frymën e një  shteti të lirë, demokratik dhe ligjor.

Ne sakrifikuam shumë për lirinë që e gëzojmë sot.

Lirinë e fituam me sakrificën e të gjithë qytetarëve tanë.

Sot, ne edhe një herë zotohemi për të punuar për ndërtimin e një Kosove  krenare, më të fuqishme dhe më të mirë, më të zhvilluar, jo vetëm për të sotmen, por për brezat që do të vijnë.

Forca jonë qëndron në unitetin tonë qytetar dhe politik.

Ne, të bashkuar, pa dallime politike, etnike apo fetare do të kemi sukses.

Kurdo që të organizohen zgjedhjet e reja, kemi obligim të gjithë të zhvillojmë garë elektorale  të lirë,  transparente dhe demokratike.

Të gjithë duhet të punojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë të ri.

Kosova është në rrugë të drejtë për një të ardhme edhe më të mirë.

Unitetin dhe fuqinë e shtetit tonë demokratik e prisni  me të drejtë ju qytetarë të dashur dhe bota demokratike.

Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj.

Ne bashkërisht do të kemi suksese të reja.

Faleminderit!

Sinqerisht,
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Shkarko si PDF

Last modified: 1 Nëntor, 2010

Comments are closed.