Prishtinë, 30 shtator 2008
Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu i Kosovës, z.Naim Tërnava.
Duke uruar myftiun Tërnava dhe gjithë qytetarët e Kosovës të besimit islam, për Festën e Fitër Bajramit, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se ne si vend dhe si popull kemi kaluar situata të ndryshme dhe shumë të vështira. Gjithmonë jemi lutur që Bajramin tjetër ta festojmë në Kosovën e lirë. Kemi arritur edhe atë periudhë kohore, që kemi festuar Bajramin në Kosovën e lirë dhe të çliruar.
Në vazhdim, kryeministri Hashim Thaçi ka shtuar se gjithashtu, jemi lutur që kur urojmë njëri-tjetrin për Festën e Bajramit, të festojmë në Kosovën, shtet i pavarur dhe sovran. Dhe, ia arritëm sot që për herë të parë si popull të festojmë këtë ditë të madhe, ditën e solidaritetit, ditën e mishërimit në Kosovën, shtet i pavarur sovran dhe demokratik.
Ky është suksesi i madh që është arritur. Është një sukses i të gjithë njerëzve të Kosovës, është sukses i unitetit të madh. Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Kosovës, garancë e perspektivës sonë të mirë.Një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim ka dhënë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, që ne sot e falënderojmë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, – ka theksuar kryeministri Thaçi.
Duke falënderuar myftiun e Kosovës z.Naim Tërnava për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore në kuadër të Festës së Fitër Bajramit, kryeministri Thaçi, shtoi:
Deri këtu kemi ardhur bashkërisht, kemi ardhur me një solidaritet vëllazëror dhe një unitet të qëndrueshëm politik e qytetar dhe dua të besoj se kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin e plotë, se Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu si në të kaluarën, edhe sot dhe në të ardhmen do të kontribuojë në forcimin e imazhit të Kosovës, si vend i lirë dhe demokratik.
Last modified: 7 Shkurt, 2009