Prishtinë, 12 shkurt 2015
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të trembëdhjetë, të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe politika të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme ka qenë aprovimi i Udhëzimit Administrativ për Implementimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik. Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë një listë të mallrave ose artikujve të përdorimit të përbashkët, duke rregulluar strukturën dhe përmbajtjen e kategorive dhe artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit.
Udhëzimi përmban listën e artikujve për përdorim të përbashkët, listën e institucioneve që nuk janë të autorizuara të kryejnë procedurat e prokurimit për ata artikuj dhe procedurat e prokurimit. Udhëzimi është i detyrueshëm për të gjitha institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në procedurat qendrore të prokurimit publik.
Është miratuar edhe vendimi që autorizon Ministrinë e Administratës Publike për reduktimin e automjeteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike për identifikimin e automjeteve tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme në pajtim me legjislacionin në fuqi. Ministria e Administratës Publike për të gjitha strukturat e Qeverisë së Kosovës do të kryej procedurat e shitjes, përmes ankandit publik në pajtim me legjislacionin në fuqi, automjetet tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratimin e Listës së Autorizuar për Pajisje të Veçanta për institucionet shtetërore të autorizuara të sigurisë për vitin 2015. Lista është konfidenciale dhe institucionet e autorizuara shtetërore do të veprojnë në përputhje me ligjet relevante ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për shpalljen e konkursit dhe ka emëruar Panelin e Posaçëm për identifikimin dhe rekomandimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, në këtë përbërje:
1. Këshilltar (ZKM), kryesues;
2. Sekretar i Përgjithshëm (MI), anëtar;
3. Këshilltar (MI), anëtar;
4. Këshilltar (MPB), anëtar;
5. Këshilltar (MF), anëtar.
Rregullorja për vendosjen e standardeve minimale për mbrojtjen e derrave të cilët mbahen për majmëri dhe mbarështim. Rregullorja është më përputhje me legjislacionin evropian që rregullon këtë fushë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën për ndarjen e mjeteve shtesë financiare për Komunën e Parteshit, në shumën prej 80 mijë euro për kategoritë buxhetore të mallrave dhe shërbimeve, shpenzimeve komunale dhe subvencioneve dhe transfereve. Vendimi obligon Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të përmbushin obligimet e tyre sipas Memorandumit të nënshkruar nga këto ministri me Komunën e Parteshit për asfaltimin e rrugëve në këtë komunë.
Është miratuar në parim nisma për lidhjen e “Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për Partneritet Evropian”.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për organizimin dhe funksionimin e strukturave për zbatimin e dokumenteve strategjike të reformës së administratës publike. Sipas vendimit, Zyra e Kryeministrit është përgjegjëse për zhvillimin dhe koordinimin e politikave dhe legjislacionit, Ministria e Administratës Publike për shërbimin civil/publik dhe burimet njerëzore, ofrimin e shërbimeve publike dhe llogaridhënien, ndërsa Ministria e Financave është përgjegjëse për menaxhimin e financave publike.
Kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin me dialogun në Bruksel dhe nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësinë. Ai ka vlerësuar se marrëveshja është arritur me një punë të madhe të delegacionit kosovar që ka qëndruar në Bruksel dhe ajo ruan sistemin unik të drejtësisë në Kosovë; aplikon legjislacionin kosovarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës; ruan autoritetin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjeve dhe institucioneve të Kosovës, marrëveshja nuk interferon dhe nuk është në kolizion me asnjë akt ligjor të Republikës së Kosovës dhe siguron integrimin e komuniteteve në veri të vendit në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka njohur kabinetin qeveritar edhe për pjesëmarrjen në konferencën për siguri në Munih të Gjermanisë dhe takimet që ka zhvilluar, si dhe për vizitën në selinë e NATO-s dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kryeministri ka vlerësuar se në takime është shprehur gatishmëria e bashkëpunimit dhe janë shprehur pozitivisht për proceset dhe menaxhimin e tyre në vend.
“Jam takuar me zëvendës presidentin Joe Biden, i cili ka shprehur përkushtimin për Kosovën dhe për proceset që po zhvillohen në Kosovë. Kam marrë ftesë që të vizitoj Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe do të përgatisim bashkërisht një program të vizitës që do të jetë përmbajtjesor atje”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar takimin e zhvilluar me ministren e Landit të Bajernit për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale, Beate Merk. Takimi ka qenë i fokusuar në temën e migracionit ilegal nga Kosovë, ku Landi i Bajernit është i atakuar nga ky migrim. “Kemi dhënë zotimet tona që ne jemi në gjendje që ta përballojmë kthimin e njerëzve tanë që kanë migruar dhe nuk ka asnjë arsye që ky proces i migrimit të shfrytëzohet që të tregohet se
Kosova nuk është stabile, apo se njerëzit nuk kanë siguri të plotë në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa.
“Ne do të ju ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet tjera për një periudhë të shkurtë kohore. Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi përcaktuar t’i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë stabile dhe në mënyrë të qëndrueshme, të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu, dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa ka thënë në vazhdim se në të gjitha takimet e zhvilluar është theksuar nevoja për përkrahjen e vendeve të BE-së për nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal dhe Kosova ka nevojë përkohësisht që t’i zgjidh këto probleme përmes një partneriteti të tillë, e jo përmes migrimit të parregullt.
Last modified: 12 Shkurt, 2015