Prishtinë, 28 dhjetor 2022
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e 116-të me radhë, në të cilën ka miratuar:
– Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, qëllimi i të cilit është përcaktimi i parimeve dhe krijimi i bazës ligjore për kushtet dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë arsimore, kërkimore-shkencore e artistike rregullimin, funksionimin dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës në përputhje me standardet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.
– Projektligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili ka për qëllim përcaktimin, rregullimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit, përkatësisht të drejtat e autorëve, në lidhje me veprat e tyre nga fusha letrare, shkencore dhe artistike.
– Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Kjo rregullore përcakton klasat për secilën kategori të shërbimit civil dhe institucionet e administratës së shërbimit publik, emërtesat e pozitave për çdo klasë, përshkrimin e përgjithshëm për secilën kategori dhe klasë, procedurën dhe metodologjinë e klasifikimit të pozitave të punës dhe ndarjen e grupeve të administrimit të përgjithshëm dhe administrimit të veçantë në shërbimin civil të Kosovës.
– Udhëzimin Administrativ për Mënyrën dhe Procedurat e Shitjes dhe Dhënies me Qira të Pasurisë së Luajtshme dhe të Paluajtshme të Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i cili ka për qëllim përcaktimin e mënyrave, rregullave dhe procedurave që zbatohen në realizimin e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të sekuestruar dhe të konfiskuar të cilat janë nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të pjesëmarrësve.
– Vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës jep mendim dhe pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e një anëtari jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
– Vendimin për miratimin e Kalendarit vjetor të Përkthimit 2023 të acquis të BE-së i paraparë sipas Rregullores për procesin e Përkthimit të acquis të BE-së në Gjuhët Zyrtare të Kosovës.
– Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për pranimin e pesë gazetarëve nga Afganistani, si dhe vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për ta.
– Vendimin për shqyrtimin Publik dhe Planin për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore.
– Vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale Eko Sig Sh.A. Pejë.
– Vendimin për emërimin e Mekanizmit ndërinstitucional për zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar në Republikën e Kosovës.
– Vendimin për themelimin e Komisionit për Ankesa, mandati i të cilit është tri vjet dhe veprimtarinë e tij e ushtron në bazë të Rregullores për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme.
– Nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit.
– Nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
– Nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë s Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin dhe përdorimin e të dhënave të Regjistrit të Emrit të Pasagjerit (REP).
– Strategjinë e Reformës së Administratës Publike 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024, të cilat si dokumente strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë objektiva dhe udhëzime për zhvillimin dhe modernizimin e administratës publike përgjatë pesë viteve të ardhshme.
– Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike (SMFP) 2022-2026 dhe Planin te Veprimit (PV) 2022-2024, qëllimi i së cilës është të zhvillojë më tej menaxhimin e shëndoshë financiar dhe ofrimin e përmirësuar të shërbimeve nëpërmjet përmirësimit të disiplinës fiskale dhe alokimit strategjik të burimeve.
– Raportin mbi Nivelin e Ekzekutimit të Projekteve të Huamarrjes Ndërkombëtare.
– Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka për qëllim të mundësojë arritjen e synimeve dhe objektivave strategjike, përmes ndërmarrjes së veprimeve, masave dhe aktiviteteve të planifikuara në Plan.
– Koncept-dokumentet: për Rishikimin e Ligjeve në Sektorin e Energjisë; për Efiçiencë të Energjisë; për Rregullimin e Tokës; për Turizëm Rural; për Veterinarinë; për Shëndet Mendor; për Sport.
– Vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Drejtor dhe Zëvendësdrejtor të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e pikës të Vendimit të Qeverisë Nr. 15/19 të datës 14.07.2021, për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 05/36 si në vijim: Dogana e Republikës së Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës nuk i nënshtrohet kufizimit të përcaktuar me pikën 1 të këtij vendimi.
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 4 të vendimit të Qeverisë Nr. 17/15 të datës 08.06.2021, si në vijim: Obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të sigurojë bashkëpunim të ngushtë me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për zbatimi e këtij vendimi, duke mundësuar aplikimin për rimbursim para datës 31.06.2023.
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 06/27 të datës 30.04.2020 për listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të Prokurimit publik.
– Vendimin për zëvendësim të fondeve burimore.
– Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore të ‘’Kooperativa Bujqësore Podujevë’’ të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projektit: Ndërtimi i ‘’Zonës Ekonomike Industriale’’ Zona Kadastrale: Livadicë, Komuna Podujevë.
– Raportimin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2021, ku ndërmarrjet publike qendrore kanë pasur një përmirësim në total në kuptim të fitimit financiar. Nga 2.7 milionë humbje financiare, që kanë realizuar në total në vitin 2020, në vitin 2021 ato kanë realizuar 21 milionë euro fitim financiar në krahasim me vitin paraprak.
– Miratimin e Projektligjit për Tekstet Shkollore, i cili përcakton standardet dhe procedurat themelore për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, materialeve mësimore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik në arsimin parauniversitar.
Last modified: 28 Dhjetor, 2022