Prishtinë, 12 nëntor 2012
Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH), Prenkë Gjetaj, është mbajtur takimi i rregullt i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Në këtë takim, krahas anëtarëve të Komisionit të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Shoqatave Familjare të të Zhdukurve të Kosovës si dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave vendore, e ndërkombëtare të përfshira në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 –’99.
Në respektim të Rendit të Ditës, të miratuar në fillim të takimit, fillimisht përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, të ftuar për prezantim në pikën e parë të rendit të ditës, paraqiten në detaje projektin ‘Pllaka për të Pagjeturit (Zhdukurit)’ që do të jetë si zëvendësim i fotografive që deri vonë kanë qenë të vendosura në rrethojat e Ndërtesës së Kuvendit. Gur-themeli i këtij monumenti është vendosur më 30 Gusht 2012 – në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Përfaqësuesit e familjarëve, me këtë rast patën mundësinë që të japin sugjerimit dhe propozimet tyre me qëllim të plotësimit të këtij projekti.
Në kuadër të pikës së dytë të rendit të ditës, përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, prezantuan punën dhe angazhimin profesional të ekspertëve vendor dhe të EULEX-it, në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Sipas të dhënave të fundit, gjatë këtij viti, deri në muajin Tetor, janë proceduar dhe është punuar në 42 lokacione të ndryshme, të supozuar për varreza individuale dhe masive të jashtëligjshme. Është potencuar edhe nga Kryesuesi i KQPZH-së dhe Njësia e Komisionit, se nga 36 lokacionet e prezantuar në fillim të vitit janë proceduar dhe përfunduar 13 raste, 9 raste janë në proces dhe 14 në pritje. Ndërsa, ndërkohë falë bashkëpunimit në mes të të gjithë partnerëve të përfshirë në këtë proces është punuar edhe në 20 lokacione të reja, që nuk ishin të përfshira në mesin e 36 lokacioneve të prezantuara në fillim të vitit. Gjatë këtyre operacioneve në terren, janë zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 20 personave.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kohore, në respektim të të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, sipas kërkesës dhe traditës së familjeve, familjarëve të personave të zhdukur, iu janë dorëzuar mbetjet mortore të 51 personave, të identifikuar përmes analizës së ADN-së.
Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i KQPZH-së në emër të Kryetarit të Delegacionit të Prishtinës në kuadër të Grupit Punues për Personat të Zhdukur, njoftojë të pranishmit mbi rrjedhën e seancës së Grupit Punues për Persona të Zhdukur, mbajtur më 30 tetor 2012, në Beograd. Ndër të tjera, Kryesuesi i Komisionit njoftojë të pranishmit mbi insistimin e Delegacionit të Prishtinës, që lokacioni i shënjuar në rajonin e Rashkës të procedohet sa më shpejtë që është e mundur. Meqë, rajoni i Rashkës është territori ku dyshohet më së shumti për varrezë masive, e ku mund të ketë mbetje të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Me propozim të anëtarëve të Komisionit, në fund të takimit është diskutuar edhe rreth së drejtës, në pension dhe beneficionet tjera të garantuar me ligj, të familjarëve të personave të zhdukur, përkatësisht rreth proceduarave për të aplikuar me qëllim të gëzimit të këtyre të drejtave. Po ashtu, të pranishmit u njoftuan rreth vizitës së punës, që përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Shoqatave Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, kanë realizuar në Komitetin për Persona të Zhdukur në Qipro. Si dhe rreth Konferencës ‘ E ardhmja e procesit rreth personave të zhdukur në Kosovë’, e planifikuar të mbahet me 20 dhe 21 nëntor 2012, në Shkup dhe e organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Last modified: 12 Nëntor, 2012