Prishtinë, 09 Mars 2012
Nën drejtimin e zëvendësministrit të Ministrisë së Administratës Publike, Hajredin Hyseni është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike.
Fillimisht z. Hyseni ka falënderuar anëtarët e Komisionit Ndërministror për përkushtimin e vazhdueshëm për reformimin e administratës sonë publike.
“Reformimi i Administratës Publike është ndër prioritet bazë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për këtë qëllim kemi aprovuar një mori ligjesh dhe dokumentesh zhvillimore strategjike të rëndësishme në këtë fushë”, ka thënë zëvendësministri Hajredin Hyseni , duke veçuar Ligjin për Administratën Shtetërore, Ligjin për Shërbimin Civil, Ligjin për Pagat e Nëpunësve Civilë dhe Strategjinë për Reformën e Administratës Publike. “Ligjet në fjalë kontribuojnë në ri-organizimin e institucioneve dhe të funksioneve të punonjësve të administratës sonë”, ka thënë z. Hyseni .
Më tutje z. Hyseni ka thënë se për t’i jetësuar këto ligje është nevojë e patjetërsueshme që të hartohen dhe aprovohen të gjitha aktet nënligjore, që derivojnë nga to dhe ka ftuar institucionet përgjegjëse për hartimin e këtyre akteve nënligjore.
Ministri i Financave Bedri Hamza ka kërkuar nga Ministritë që procesi i hartimit të akteve nënligjore të koordinohet dhe harmonizohet me Ministrinë e Financave dhe të mekanizmave ndërkombëtar si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Komisionit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike ka miratuar propozimin e ministres së Integrimeve Evropiane Vlora Citaku që në të ardhmen Komisionit Ndërministror ti bashkëngjitet një përfaqësues i Komisionit Evropian.
Në vazhdim është bërë prezantimi dhe miratimi i Planit të Veprimit për vitet 2012 – 2013 për zbatimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike. Po ashtu është bërë prezantimi dhe aprovimi i Planit Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në takim është bërë prezantimi i arritjeve në hartimin e Planeve Zhvillimore Strategjike për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës , Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Last modified: 9 Mars, 2012