Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i Komisionit Ndërministror për Politikat e Punësimit të Qëndrueshëm

8 Prill, 2009

Prishtinë, 8 prill 2009

Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit Ndërministror me temën: Programi për Politikat e Punësimit të Qëndrueshëm, organizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Fillimisht, z. Manaj ka falënderuar  përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen dhe konsultimet e vazhdueshme drejt definimit te objektivave kyçe të këtij programi, në përputhje me objektivat e Qeverisë së Kosovës dhe procesin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.
Z. Manaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës, mbështet plotësisht këtë program, dhe për këtë është menduar që të ketë raportim të rregullt tek donatorët më qëllim të shkëmbimit të informatave dhe ngritjes së bashkëpunimit.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj duke folur për Strategjinë e Punësimit të Qëndrueshëm, ka thënë se versioni i parë i pjesës së parë të strategjisë që është në lidhje me “pasqyrën e përgjithshme të kontekstit ekonomik” është përpiluar nga ana e  Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe pjesa e dytë e strategjisë që është në lidhje me “analizën e tregut të punës” është përpiluar nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenës Sociale. Këto dy pjesë janë diskutuar në nivelin e grupit punues teknik ndërministrorë dhe ndërkohë të dy Ministritë janë pajtuar të punojnë edhe më tutje në pasurimin e këtyre pjesëve të strategjisë.

Në takimin e Komisionit Ndërministror është shtruar nevoja e përfshirjes së një eksperti ndërkombëtar të ekonomisë që do të mund të jap një perspektivë më të gjerë ndërkombëtare për politikat e punës që janë miratuar nga shtetet e ndryshme, dhe sa kanë pasur sukses ato, veçanërisht në kontekst të Evropës. 

Last modified: 8 Prill, 2009

Comments are closed.