Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i katërt i Task Forcës së Ujërave

16 Qershor, 2010

Prishtinë,  16 Qershor 2010

Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, u mbajt takimi i katërt i radhës i Task Forcës së Ujërave, në të cilin është diskutuar për zhvillimin e sektorit të ujërave dhe është shtruar nevoja e përshpejtimit të nxjerrjes së Strategjisë së Ujërave në Kosovë. 

Në hapje të takimit zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në rritjen e angazhimeve për administrimin, planifikimin dhe mbrojtjen e resurseve ujore në Republikën e Kosovës dhe shtetet e rajonit.

“Sektori i ujërave është një ndër prioritetet e kësaj qeverie dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që kanë resurset ujore , andaj përkrahja në proceset vendim-marrëse për menaxhimin e këtij sektori, do të intensifikohet  edhe më tepër në të ardhmen”, pohoi z. Kuçi, duke shtuar se qeveria investimet e veta dhe të donatorëve do t’i orientoj në  mbrojtjen e resurseve natyrore, përfshirë projektet që kanë të bëjnë me riparimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza, të cilat duhet të jenë edhe objektiva të strategjisë për ujërat e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast ka falënderuar donatorët dhe partnerët  ndërkombëtarë në veçanti  Zyrën për Zhvillim Ndërkombëtar  të Zvicrës , për mbështetjen e sektorit të ujërave.

Z. Guido Beltrani, zëvendësdrejtor në Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim është shprehur i gatshëm të mbështesë aktivitete e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me sektorin e ujërave.

Në takim është raportuar lidhur me ecurinë e zbatimit të vendimeve të deritashme të Task Forcës së Ujërave. Poashtu sot është diskutuar lidhur me hartimin e politikave për pagesën e faturave të ujit për kategoritë e rasteve sociale. Është kërkuar hartimi i listave të këtyre kategorive të konsumatorëve të cilat do të shfrytëzohen nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve.  

Në takim është diskutuar çështja e përshpejtimit të nxjerrjes së strategjisë për ujërat. Për këtë qëllim është propozuar një takim i posaçëm i Task Forcës së Ujërave ku do të trajtohet gjerësisht problematika e hartimit të strategjisë për ujërat.  

Last modified: 16 Qershor, 2010

Comments are closed.