Prishtinë, 24 dhjetor 2008
Në hapje të mbledhjes së 48-të, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se ky vit ka qenë vit i sukseseve të mëdha të Kosovës, vit i vendimeve historike dhe i kurorëzimit të aspiratave shekullore të popullit të Kosovës, vit i Kushtetutës moderne, vit i njohjeve të mëdha të Kosovës. Ky është vit i instalimit të qeverisjes së mirë, investimeve të mëdha dhe i funksionalizimit të sundimit të ligjit.
Në mbledhjen e 48 të Qeverisës së Kosovës u diskutua dhe më pas u miratua nisma e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për kthimin e trurit në Kosovë me emrin “Skema e Fondit të Trurit”. Qeveria e Kosovës ka identifikuar nevojën për përmirësim të punësimit me personel që posedon kualifikime të larta, deficitare për shërbimin publik, u tha me këtë rast. Për këtë qëllim për vitin 2009 Qeveria ka ndarë një fond prej 1 milion euro.
Po sot kabineti qeveritar ka miratuar Strategjinë për Integrimin e Komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptas në Republikën e Kosovës 2009-2015. Strategjia për Integrimin e komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptas përbën një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar një klimë tolerance, pajtimi dhe respekti të ndërsjellë mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë
Po ashtu sot Qeveria ka miratuar Strategjinë kundër Korrupsionit. Kryeministri Thaçi, duke arsyetuar vendimin lidhur me këtë çështje ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e vet i ka dhënë prioritet këtij sektori, duke e renditur si prioritet kryesor luftimin e korrupsionit. “Qeveria do të bashkëpunojë dhe forcojë partneritetin me shoqërinë civile dhe mediet, për ta fuqizuar rolin e tyre në zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e reformave kundër korrupsionit dhe në rritjen e transparencës “, tha kryeministri Thaçi.
Duke u bazuar në nenin 15.2 të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike Qeveria ka përkrahur rekomandimet e komisioneve rekomanduese për emërimin e drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike .
Komisionet rekomanduese pas procesit të selektimit dhe intervistimit kanë përzgjedhur kandidatët, dhe Qeverisë i kanë rekomanduar listën finale me emrat e atyre që kanë qenë më meritorët.
Me disa plotësime sot është miratuar Strategjia Legjislative për vitin 2009, e cila sipas zëvendës kryeministrit Ramë Manaj përfshin 112 projektligje.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në shenjë falënderimi për angazhimin dhe përkrahjen e Kosovës, propozoi që një rrugë kryesore në qendër të Prishtinës të mbajë emrin e presidentit të SHBA-ve, George W. Bush.
Last modified: 24 Dhjetor, 2008