Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e 79-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

20 Qershor, 2012

Prishtinë, 20 qershor 2012

Kryeministri Hashim Thaçi  mbledhjen e sotme të 79-tën me radhë të Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka hapur me një minutë heshtje në nderim të Dino Asanaj, kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me këtë rast kryeministri Hashim Thaçi  edhe njëherë në emër të Qeverisë dhe në emrin e tij personal shprehu ngushëllime familjes Asanaj, bashkëpunëtorëve dhe gjithë miqve të z. Dino Asanaj.

“Vdekja e tij ishte një lajm tronditës për të gjithë ne, për familjen, bashkëpunëtorët dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Dua të siguroj të gjitha institucionet e Kosovës se do të bëjmë çdo angazhim që të zbardhen rrethanat e vdekjes së Asanaj, shkaqet e vdekjes së këtij zyrtari të lartë të shtetit dhe të sqarohen plotësisht”, ka thënë z. Thaçi duke shtuar se do të shqyrtohen të gjitha rrethanat dhe shtytjet që ndikuan  në vdekjen e dhunshme të Asanajt, qoftë të veprimeve subjektive apo objektive, të shantazheve të bëra edhe publike nga individë apo grupe kriminale dhe mafioze, të cilët nuk e pranojnë ekonominë e lirë të tregut .

“Ne në Kosovë në shtetin tonë të ri nuk do të lejojmë me asnjë çmim që shantazhi, kërcënimi dhe dhuna të bllokojë ekonominë e lirë të tregut dhe konkurrencën. Zotëri Asanaj ka punuar shumë për vendin në kohën e çlirimit, në kohën e përpjekjeve për liri dhe shtetbërje, prandaj do të respektohet gjithmonë nga shteti dhe qytetarët e Kosovës. Institucionet do të kërkojnë që rrethanat dhe shtytjet që quan në vdekjen e Asanajt të investigohen prej gjithë mekanizmit vendor dhe atij ndërkombëtar, kompetent për këtë çështje”, ka thënë kryeministri Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë.

Duke proceduar sipas rendit të ditës, Qeveria ka miratuar propozimin për plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2012 me Projektligjin për ratifikimin  e marrëveshjes për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës respektivisht Ministrisë së Financave dhe Bankës gjermane KFË lidhur me fabrikën e ujit në Shkabaj.

Qeveria sot ka miratuar Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe një Projekt rregullore për pensionimin e parakohshëm të nëpunësve civil. Po ashtu, janë miratuar edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për sigurimin e depozitave  të institucioneve financiare në Kosovë si dhe Projektligji për shfrytëzimin , administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave në bashkëpronësi.

Qeveria ka miratuar Koncept-dokumentin për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dhënien e lejes  së punës dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Sipas propozimit të MAPL Qeveria ka ka emëruar znj.Adrijana Hoxhiq, zyrtare kryesore ekzekutive në Zyrën Administrative  të Mitrovicës.

Me qëllimi të funksionalizimit dhe efikasitetit në fushën e riatdhesimit, Qeveria sot ka marrë vendim për themelimin e Departamentit për ri-integrim të personave të riatdhesuar. Sipas ministrit Bajram Rexhepi ky Departament do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Nën të ndryshme Qeveria sot ka miratuar Rregulloren për funksionimin e Fondit për kuadro,  Projektligjin për pagat e funksionareve te lartë publik, Projekt-statutin e Universitetit të Prishtinës dhe vendimin për zgjatjen e mandatit të Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal.

Last modified: 20 Qershor, 2012

Comments are closed.