Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e 17-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

24 Prill, 2008

Prishtinë, 24 prill 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
 
Kryeministri Thaçi ka thënë se vizita jonë e parë në Këshillin e Sigurimit, ka qenë përfaqësim dinjitoz dhe është mbështetur nga shumica e anëtarëve të KS dhe ka shtuar se Kosova si asnjëherë më parë ka një mbështetje të fuqishme në gjithë botën demokratike. 
 
“Gjatë qëndrimit në Nju Jork, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Hyseni kemi zhvilluar shumë takime në drejtim të lobimeve për njohjen e Kosovës. Kemi pasur takime të mira dhe inkurajuese me përfaqësuesit e shteteve arabe, të Konferencës Islamike, vendeve të Karaibeve, Amerikës Latine, por edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të KS të OKB-së”, pohoi z. Thaçi.
 
Kryeministri Hashim Thaçi duke folur rreth paralajmërimeve të mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ka thënë se në Këshillin e Sigurimit “kemi paraqitur qëndrimin e përbashkët se pretendimet e Beogradit për të mbajtur zgjedhje në Kosovë janë të paligjshme”.
 
Në vazhdim Qeveria ka proceduar sipas rendit të ditës. Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka ofruar një pasqyrë financiare lidhur me buxhetin e konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2007, dhe pas diskutimeve ka marrë vendim që kjo informatë të procedohet në Kuvendin e Kosovës për diskutim.
 
Qeveria ka miratuar Rregulloren për Implementimin e Masave Doganore në lidhje me mallrat që shkelin të drejtat e pasurive intelektuale. Kjo rregullore është hartuar me qëllim të themelimit të procedurave doganore për t`i mundësuar Shërbimit Doganor të UNMIK-ut për të ndërmarr veprime kundër mallrave të falsifikuara, mallrave pirate dhe mallrave që shkelin disa të drejta të pasurisë intelektuale. Pas 15 qershorit kjo rregullore do të shndërrohet në ligj.
 
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Minierave dhe Energjetikes që të krijohet autoriteti përgjegjës për kryerjen e proceduarve të rivitalizimit të blloqeve A1 dhe A2 në Termocentralin “Kosova A”. Autoriteti kontraktues do ta përbëjnë përfaqësues nga KEK, Ministria e Energjisë dhe Minierave, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
 
Po ashtu  është miratuar propozimi për krijimine autoritetit kontraktues për rehabilitimin e hidrocentraleve të vogla me investime private. Po sot Qeveria ka përkrahur propozimin për formimin e Komitetit Drejtues të projektit “Kosova C”, sipas skemës së njëjtë të përfaqësimit.
 
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Enver Hoxhaj, ka njoftuar  se në kuadër të nismës së Qeverisë për kthimin e kuadrove të shkolluara në shtetet perëndimore janë paraqitur 139 të rinj që dëshirojnë të kthehen dhe të punojnë në Kosovë. Qeveria ka përkrahur politikat kombëtare të MASHT për ndaljen dhe kthimin e trurit në  Kosovë.
 
Qeveria ka miratuar Programin e Kosovës për Barazi Gjinore, një dokument strategjik ky për integrimin e barazisë gjinore në politikat dhe programet publike te Qeverise. PKBGJ ka për qëllim të nxisë dialogun mbi integrimin e barazisë gjinore,  pjesëmarrje të barabartë e grave dhe burrave ne jetën sociale, ekonomike e politike te vendit.
 
Qeveria ka miratuar Strategjinë mbi Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.
Sipas zëvendës kryeministrit Hajredin Kuçi, kjo strategji ka si objektiv kryesor të sigurojë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që të kontrollojë posedimin e armëve të vogla dhe të lehta nga qytetarët, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
 
Strategjia për kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, trajton prioritetet e përcaktuara në Planin e Ahtisaarit (Shtojca VIII – 1.7), në Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, në raportin e BE-së për progresin dhe në faktin se Kosova do të respektojë standardet dhe praktikat e OKB-së, OSBE-së dhe BE-së në fushën e sigurisë dhe kontrollit të armëve, si dhe marrëveshjet dhe deklaratat e tjera rajonale për siguri që janë nën kompetencën e OSBE-së.
 
Për nevoja të ngritjes së infrastrukturës bazë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria me propozimin e kryeministrit Thaçi mori vendim që kësaj ministrie t’i lejohet një buxhet  prej 1 milion euro.
 
Në mbledhjen e radhës Qeveria do të miratojë buxhetin edhe për hapjen e ambasadave që do ta bëjë Kosova gjatë këtij viti.

Last modified: 24 Prill, 2008

Comments are closed.

×