Prishtinë, 15 shtator 2010
Fillimisht Qeveria ka miratuar Projektligjin për Gjendjen Civile propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ky projektligj parasheh që regjistrimi të jetë i obligueshëm, ndërkaq është përgjegjësi e autoritetit përkatës që të përditësojë regjistrin në përputhje me elementët mbrojtës ligjorë. Të dhënat do të shfrytëzohen vetëm për qëllimin e tyre të paraparë. si mjet për të mbajtur evidencë popullatën që banon në Kosovë.
Ndërkaq Projektligji tjetër i miratuar sot për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës ka për qëllim të përcaktojë parimet themelore dhe të krijojë bazën ligjore për organizimin, prodhimin dhe publikimin e statistikave zyrtare të Kosovës.
Funksioni i statistikave zyrtare është mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e të dhënave për qëllime statistikore për aktivitetet ekonomike, sociale dhe kushtet e përgjithshme në Kosovë, si dhe i sigurojnë Kosovës përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në prodhimin dhe publikimin e statistikave zyrtare.
Qeveria ka miratuar rregulloren për procedurat për emërimin në pozita të larta drejtuese. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi kjo rregullore përcakton procedurat për emërimin në pozita të larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, me qëllim të kalimit nga sistemi ekzistues në sistemin e ri të emërimit në pozita të larta drejtuese të përcaktuar në Ligjin nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Kjo rregullore, po ashtu, ka për qëllim ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe profesional për emërimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese në pajtim me parimet themelore të Shërbimit Civil të përcaktuara në Nenin 5 të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Në fushën e veprimit të kësaj rregulloreje përfshihen sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive, si dhe kryeshefat ekzekutiv dhe pozicionet e barasvlefshme të agjencive ekzekutive, të agjencive të pavarura dhe atyre rregullatore.
Qeveria ka miratuar edhe rregulloren për strukturën organizative të Ministrisë për Integrime Evropiane. Me këtë rregullore përcaktohet struktura e brendshme organizative e Ministrisë së Integrimit Evropian, si dhe rregullimi i marrëdhënieve organizative ndërmjet niveleve të ndryshme brenda dhe jashtë Ministrisë.
Qeveria i ka dhënë mbështetje Strategjisë së Rishikuar për Reformën e Administratës Publike. Sipas ministres Edita Tahiri Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për rishikimin e strategjisë, me qëllim që reformat në administratën publike të zhvillohen konform kërkesave të shtetit të ri për efikasitet, efektivitet dhe evropianizim të administratës.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Planet zhvillimore strategjike për periudhën 2010-2014 për Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, (MTPT), për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Qeveria ka diskutuar edhe Planin zhvillimor strategjik për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, për periudhën 2010-2014 dhe me propozimin e ministrit Enver Hoxhaj është shtyrë që të plotësohet edhe me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.
Nën të ndryshme Qeveria është informuar nga ministri Bajram Rexhepi lidhur me procesin e riatdhesimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nga ministri Besim Beqaj lidhur me strategjinë e liberalizimit të vizave.
Last modified: 15 Shtator, 2010