Zyra e Kryeministrit

Mbahet ceremonia e inaugurimit të ALPEX – Zona e Ofertimit të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri

4 Mars, 2024

Prishtinë, 4 mars 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë sot në ceremoninë e funksionalizimit të Tregut një ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

“Inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë”, e filloi kryeministri fjalën e tij, duke theksuar se ALPEX shërben si një mjet jetik për zhvillim, duke nxitur konkurrencën e drejtë, duke vendosur sinjale të besueshme të çmimeve dhe duke nxitur investimet në kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme.

Përveç se si sfidë, përballja me krizë energjetike viteve të fundit ka mundësuar edhe thellimin e bashkëpunimeve ndër-kufitare, me ç’rast kryeministri kujtoi se qytetarët e bizneset e Shqipërisë verën e kanë kaluar me energji të bollshme falë energjisë së deponuar nga Kosova, ndërkaq qytetarët e bizneset e Kosovës dimrin e kanë kaluar më ngrohtë, falë energjisë së marrë nga Shqipëria.

“Tash, shkëmbime të tilla bëhen përmes bursës tonë të përbashkët. Sikur Kosova të mbetej ende treg i izoluar i energjisë, do të kishim tregtuar 9,134 megavatë orë energji gjatë muajit shkurt, ndërsa me bashkimin e tregjeve me Shqipërinë, që njihet si “Market Coupling”, kjo shifër arrin në 28,106 megavatë orë, pra më shumë se trefish. Ndërkaq, sot janë tregtuar 3,282 megavatë orë në coupling. Pra, Kosova sot ka thyer rekordin për sasinë e tregtuar”, deklaroi kryeministri Kurti.

Sa i përket sektorit të energjisë, Qeveria e Republikës së Kosovës fokusohet në sigurinë e furnizimit dhe përballueshmëri financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit. Kësisoj përmes bashkëpunimeve me Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë synohet të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efikase dhe kost-efektive, të optimizojmë integrimin teknologjik dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve.

“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat”, u shpreh ndër të tjerash kryeministri Kurti, sepse sinergjia në energji është fuqi që na duhet dhe e duam, tha ai.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se sot po shënojnë këtë ditë historike për sektorin e energjisë, për funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, në Republikën e Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Siç u shpreh ministrja, rëndësia e kësaj burse dhe funksionimi i përbashkët i tregjeve tona të energjisë elektrike është vështirë të përshkruhet sepse është shumëdimensional dhe ndikimet e tij nuk i shohim vetëm sot, por ndikimet më të mëdha do t’i shohim përgjatë viteve që po vijnë.

Në përmbyllje të kësaj ngjarje, kryeministri Kurti falënderoi partnerët nga Shqipëria, përfshirë Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e tyre, derisa bëri thirrje të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj.Artane Rizvanolli, minister e Ekonomisë,
Shkëlqesia Juaj, z.Petrit Malaj, ambassador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës,
Shkëlqesia Juaj, ambasador Tomáš Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
Shkëlqesi ambasadorë dhe të Korit Diplomatik,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, drejtues e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore,
E nderuara znj.Eileen Devit, drejtore e Misionit të USAID-it
I nderuari z. Evetar Zeqiri, kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it,
I nderuari z. Sokol Dishnica, administrator i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Një bashkëpunim, i cili luan rol në zhvillimin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin energjisë, si dhe në transformimin e sektorit tonë energjetik në harmoni me Strategjinë tonë Kombëtare të Energjisë.

Në vitet e fundit, kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë: Sektori i energjisë si në Evropë ashtu edhe në të gjithë botën ka ndryshuar rrënjësisht. Thellimi i bashkëpunimeve ndër-kufitare është një ndër mënyrat më të suksesshme për t’u përballur me vështirësitë e sfidat e realitetit të ri në sektor.

Verën, veçanërisht viteve të fundit, qytetarët e bizneset e Shqipërisë e kanë kaluar me energji të bollshme, falë energjisë së deponuar nga Kosova. E dimrin, sidomos këta të fundit, qytetarët e bizneset e Kosovës e kanë kaluar më ngrohtë, falë energjisë të marrë nga Shqipëria.

Ky bashkëpunim nga kompanitë tona mundësohet nga komplementariteti i sektorëve tonë të energjisë. ALPEX-i është jetësimi i këtij bashkëpunimi. Tash, shkëmbime të tilla bëhen përmes bursës sonë të përbashkët. Sikur Kosova të mbetej ende treg i izoluar i energjisë, do të kishim tregtuar 9,134 megavatë orë energji gjatë muajit shkurt, ndërsa me bashkimin e tregjeve me Shqipërinë, që njihet si “Market Coupling” kjo shifër arrin në 28,106 megavatë orë, pra më shumë se trefish. Ndërkaq, sot janë tregtuar 3,282 megavatë orë në coupling. Pra, Kosova sot ka thyer rekordin për sasinë e tregtuar.

Qëllimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në sektor të energjisë janë të fokusuara në garantim të sigurisë së furnizimit, si dhe përballueshmëri financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit tonë. Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi dhe më shumë tregti ndërkufitare.

Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri nuk është vetëm një hap strategjik drejt nxitjes së një ekosistemi energjetik më të lidhur e më efikas, ai është gjithashtu një katalizator për përfshirjen e sektorit privat. Nëpërmjet bashkëpunimit me Shqipërinë dhe fqinjët tanë, ne synojmë të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efektive dhe kost-efektive, të optimizojmë integrimin teknologjik, të jemi gjithandej më efikas dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve si të huaja ashtu edhe ato brenda vendit. Sinergjia në energji është fuqi që na duhet dhe e duam.

ALPEX-i shërben si një mjet jetik për zhvillim, duke nxitur konkurrencën e drejtë, duke vendosur sinjale të besueshme të çmimeve dhe nxitur investimet në kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme.

Përveç që shkon përtej një iniciative vendore, ALPEX-i është në harmoni me modelin e synuar të Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon përkushtimin e Kosovës ndaj praktikave më të mira ndërkombëtare në tregtim dhe bashkimin e tregut të energjisë elektrike. Njëkohësisht, e pozicionon Kosovën si një akter në tregun më të gjerë evropian të energjisë elektrike.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për partnerët dhe institucionet tona vendore kyçe për zhvillimin e ALPEX-it.

Sigurisht, ALPEX-i është një përpjekje bashkëpunuese dhe falënderoj partnerët tanë nga Republika e Shqipërisë, përfshirë Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët kanë punuar bashkë me neve.

Përveç kësaj, dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID, për mbështetjen tuaj. Angazhimi juaj ka luajtur rol kyç në realizimin e vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme energjetike të ndritshme.

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat.

Përballja me krizën energjetike na kanë bërë më të vetëdijshëm, më të dijshëm për nevojën e diversifikimit të burimeve të energjisë sa edhe për rëndësinë e partneriteteve të bazuara edhe në vlera përveçse në interesa. Krizat gjithmonë rezultojnë në vështirësi. Por, në të njëjtën kohë ato paraqesin edhe mundësi. I gëzohem faktit, që nuk kemi lejuar që kriza energjetike të shkojë dëm.

Është e vërtetë që kriza energjetike na ka shkaktuar dëm, mirëpo, po ashtu është e vërtetë që edhe ne nuk po e lëmë këtë krizë energjetike të na shkojë dëm. Mësimet dhe përvojën e fituar viteve të fundit, po i kthejmë në bashkëpunime dhe mundësi të reja, që na bëjnë më të fortë dhe me të përgatitur përballë sfidave të së ardhmes.

Dihet që ne shqiptarët rrimë bashkë, mirëpo te fjala bashkëpunim, përveç fjalës bashkë është edhe fjala punë, andaj le të punojmë bashkë, në mënyrë që të arrijmë suksese gjithnjë e më të mëdha, si për qytetarët tanë, gjithashtu edhe për bizneset tona.

Ju faleminderit.

Last modified: 4 Mars, 2024

Comments are closed.

×