Prishtinë, 06 mars2009
Zëvendës kryeministri , Ramë Manaj ka marrë pjesë sot në Konferencën me qëllim të prezantimit publik të Strategjisë për integrimin e komuniteteve: Romë Ashkali dhe Egjiptas 2009-2015. Konferenca është organizuar nga Zyra e Kryeministrit te Republikës se Kosovës-Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim dhe përkrahje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe OSBE.
Në vazhdim po japim të plotë fjalën e Zëvendëskryeministrit , Ramë Manaj mbajtur sot në këtë konferencë.
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Jam i nderuar që gjendem sot në këtë ngjarje të rëndësishme për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, për të bërë lansimin e Strategjisë për integrimin e komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjyptas në Kosovë e cila është aprovuar në dhjetor 2008.
Strategjia paraqet dokument të një rëndësie të veçantë i cili synon promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjyptas dhe ofron hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm që duhet ndërmarrë për të përmirësuar dhe fuqizuar pozitën dhe rolin e tyre në Kosovë.
Qeveria Kosovës me këtë dokument shpreh qartë vizionin e ndërtimit të Kosovës, shtet demokratik, stabil, e të sigurt , ku të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë, duke garantuar dinjitetin njerëzor sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.
Ky dokument parashtron politikat efektive, të qëndrueshme dhe të koordinuar që së bashku me planin e veprimit i cili do të hartohet, do të ofroj hapat e nevojshëm që duhet ndërmarrë për secilën fushë me qëllim të përmirësimit, zbatimit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe integrimin e këtyre komuniteteve në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mision të qartë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të gjithë qytetareve të saj, ndërtimit të demokracisë, qeverisjes së mirë, sundimin e ligjit, dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe të krijojë dhe përmirësoj efektivitetin e mekanizmave ekzistues që garantojnë zbatimin e normave të aprovuara.
Ky dokument dëshmon jo vetëm vizionin por edhe përkushtimin e vazhdueshëm që Qeveria e Republikës së Kosovës të sigurojë respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor të secilit individ në Kosovë pa dallime të çfarëdo natyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës, do të alo-kojë fondet e nevojshme për realizimin e objektivave dhe projekteve që dalin nga kjo strategji, si dhe do të punojë në ngritjen dhe forcimin e mekanizmave në përkrahje të drejtave të komuniteteve.
Zbatimi në praktikë i objektivave specifike të kësaj Strategjie dhe Plani i Veprimit për zbatimin e saj do të përcaktojë masat specifike dhe konkrete për secilin institucion përgjegjës, së bashku me tregues suksesi të prekshëm dhe periudha të qarta kohore.
Administrata qendrore dhe lokale kanë për mandat dhe përgjegjësi për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve, dhe së bashku me to edhe një numër i madh i aktorëve të tjerë, roli i të cilëve është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në përmirësimin e situatës aktuale të integrimit të këtyre komuniteteve në Kosovë.
Ne inkurajojmë të gjithë partnerët tanë që kanë punuar në promovimin dhe fuqizimin e përfshirjes së komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptase në jetën civile dhe shoqërore që të vazhdojnë mbështetjen e mëtutjeshme edhe në ndërtimin e kapaciteteve vetë-organizuese të komuniteteve për të qenë vetë komunitetet pjesë aktive dhe e fuqishme në të gjitha proceset politike në Republikën e Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr një varg aktivitetesh në hartimin dhe promovimin e politikave efektive dhe të qëndrueshme si në hartimin e legjislacionit, ngritjen e kapaciteteve, koordinimin dhe krijimin e mekanizmave institucional relevant për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Strategjia dhe dokumentet tjera për integrimin e komuniteteve në Kosovë.
Në përfundim, dua tu falënderoj të gjithë kontribuuesit e këtij dokumenti, ekspertët, qytetarët, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, për punën e madhe që kanë bërë për të pasur një dokument të këtillë, si dhe njëkohësisht shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e punës në misionin , për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Last modified: 6 Mars, 2009