Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zotohemi që Viti 2009 do të jetë viti i thellimit të suksesit të Kosovës

29 Janar, 2009

Prishtinë, 29 janar 2009
 
Fjala e Kryeministrit për Raportin vjetor të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës (2008)

 
 
I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave dhe misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Kam nderin dhe përgjegjësinë shtetërore që sot para jush dhe popullit të Kosovës të paraqes raportin e parë të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Ju falemnderit, që keni pasur mirëkuptim në kerkesën e qeverisë për të prezentuar raportin e punës në Parlament, qeveria e mirëpret edhe debatin.
 
Përmes këtij raporti vjetor, Qeveria e Republikës së Kosovës po paraqet punën dhe arritjet e saj dhe popullit të Kosovës drejt realizimit të synimeve dhe objektivave: një Kosovë – shtet i të gjithë qytetarëve, një Kosovë – të zhvilluar në përputhje me parimet demokratike.
 
Një Kosovë– me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm; një Kosovë – shtet demokratik i sundimit të ligjit, një Kosovë – shoqërie shumëetnike, një Kosovë – të përkushtuar drejt proceseve për integrime evropiane, euroatlantike dhe mekanizma tjerë ndërkombëtar, nëpërmjet përmbushjes së kushteve dhe standardeve më të larta të përgjegjësisë dhe të transparencës.
 
Institucionet e reja demokratike, të formuara nga koalicioni qeveritar dhe me partnerë të tjerë, të dala si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Nëntor 2007, rrjedhin nga nevoja e krijimit të një klimë të re pozitive, konsensuale-uniteti, moderne dhe të një menaxhimi të suksesshëm të proceseve për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme të sigurt evropiane.
 
Qeveria e Kosovës arriti ta menaxhojë sfidën më të rëndësishme në historinë e popullit të Kosovës, duke i përmbyllur sukseshëm ambiciet shekullore për liri dhe pavarësi dhe duke përfaqësuar e respektuar vullnetin e popullit me shpalljen e Kosovës-shtet i pavarur, sovran, dhe demokratik më 17 shkurt të vitit 2008.
 
Por, merita për Pavarësi të Kosovës i takon gjithë qytetarëve të Kosovë, më tepër se çdo kontributi individual apo partiak.
 
E fituam lirinë bashkë, e kaluam tranzicionin suksesshëm bashkë, e shpallëm mrekullueshëm bashkarisht pavarësinë. Edhe sot zotohemi për ecje të përbashkët në procesin e zhvillimit ekonomik dhe procesin e integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
 
Unë si Kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovë, shpreh çdoherë edhe sot mirënjohje dhe vlersim për sakrificën e çdo qytetari për berjen e Kosovës Shtet.
 
Pavarësia, si e vetmja zgjidhje për Popullin e Kosovës, në interes të paqes dhe stabilitetit në vend dhe në rajon, është arritur me një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, dhe me përkrahjen e tyre të fuqishme.
 
Qytetarët e Kosovës kanë treguar një pjekuri të jashtëzakonshme, duke festuar realizimin e vullnetit të tyre për shtet të pavarur në mënyrë shumë të dinjitetshme.
 
Kjo dëshmoi para botës që Kosova ka institucione dhe qytetarë të përgjegjshëm të vlefshëm si anëtarë të  bashkësisë ndërkombëtare dhe të botës së qytetëruar. 
Pavarësia e Kosovës, ky realitet i ri dhe i përhershëm, deri me tani është i njohur nga pesëdhjetë e katër shtete, që përbëjnë: mbi shtatëdhjetë për qind të Bruto Produktit Vendor botërorë, shtatë anëtarë të G-8 dhe dy të tretat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
 
Pranimi i pasaportave të Republikës së Kosovë edhe nga Sllovakia, Rumania dhe Greqia dhe vende të tjera të botës, njohja është në proces aktiv dhe dinamik nga diplomacia kosovare.
 
Njohja nënkupton, ndër të tjera, mundësinë e bashkëpunimet në nivel shtetëror dhe nevojën e funksionalizimit të institucioneve vendore.
 
Qeveria synon ta realizojë këtë me ngritjen e kapaciteteve të ministrive dhe të administratës publike, me financimin e tyre si dhe të planeve të veprimit me Buxhetin e parë te Kosovës së pavarur.
 
Me 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, një kushtetutë moderne e cila përfshinë përfshin parimet bazë të Pakos së Ahtisaarit.
 
Të gjitha proceset zhvillimore politike dhe shoqërore janë të bazuara në parimet dhe dispozitat e Kushtetutës, duke garantuar sovranitetin territorial dhe barazinë para ligjit të të gjithë qytetarëve.
 
Simbolet shtetërore të Kosovës, të cilat u nxorën, përfaqësojnë unitetin shtetëror dhe qytetar të vendit tonë.
 
Vullneti, synimi dhe destinacioni përfundimtar i Kosovës është Bashkimi Evropian dhe NATO dhe raportet e përhershme e të shkëlqyeshme me Shtet e Bashkuara të Amerikës.
 
Synimi që Kosova të jetë pjesë e BE-së buron nga konsensusi i gjerë publik dhe kërkon angazhim serioz të institucioneve qeveritare, në kuadër të procesit formal të para-anëtarësimit dhe për sigurimin e statusit të vendit kandidat.
 
Falë punës së suksesshme, në Kosovë u vlersua progresi edhe në Raportin e Komisionit Evropian, qeveria pranon përgjegjshëm edhe sfidat që dalin nga ky raport.
 
Si rezultat i punës së Qeverisë, BE-ja konfirmon hapin e parë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, i quajtur studimi i fizibilitetit, i cili pritet të përfundojë në vjeshtë të vitit 2009.
 
Qeveria punon dhe beson në vlersimin pozitiv dhe të pranueshëm nga Brukseli.
 
Në kuadër të përkushtimit të Qeverisë për integrim në BE, do të vazhdojë konsolidimi i institucioneve qeveritare për të përmbushur kriteret e demokratike:kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane.
 
Në funksion të respektimit të vullnetit të qytetarëve, të shprehur nëpërmes votës së lirë, Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2008 ka realizuar reforma të gjithanshme në të gjitha fushat.
 
Kosovën e gjetëm në terr, rrugë me baltë, nxënësit në kontejerë, biznesin të pambrojtur, të shantazhuar e të ndëshkuar nga politika.
 
Kosova ishte në nivelin më lartë për shkallën e korrupsionit në rajon.
 
Mitrovica ishte lënë pas dore me fare pak interseim apo përgjegjësi shtetërore.
 
Uniteti qytetar dhe politik duhej të avancohej.
 
 
Qeveria e Republikës së Kosovës i është përgjigjur kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe është vënë në shërbim të tyre për të udhëhequr politika të përgjegjshme dhe transparente.
 
Këto politika e çojnë Kosovën drejt një rritjeje me të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike, krijimit të vendeve të reja të punës, një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
 
Qeveria është e përkushtuar në ndërtimin e mirëbesimin me të gjithë qytetarët.
 
Vetëm përmes mirëbesimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të ndershëm dhe korrekt mund të realizojmë drejtësi për të gjithë, arsim më cilësor dhe investime më të sigurta që do të rezultojnë në një zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik.
 
Këto politika kanë reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
 
Qe ta bejmë Kosovën shtet ku çdo qytetar do të ndihet mirë, i sigurt dhe krenar për të jetuar.
 
 
Është shënuar progres me një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët politikë dhe shoqëror, duke përfshirë shoqërinë civile, komunitetin e biznesit, institucionet akademike dhe partnerët ndërkombëtarë.
 
Një vlërsim dhe falenderim në këtë sukses tonin i shkonë mediave për prezentin real dhe objektiv të zhvillimeve.
 
Prioritet parësor i Qeverisë së Kosovës vazhdon të jetë intensifikimi i zhvillimit ekonomik.
 
Rritja ekonomike do të realizohet përmes intensifikimit të investimeve, privatizimit të mëtejshëm dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve publike, shtimit të aftësisë konkurruese të ekonomisë dhe rritjes së eksportit.
 
Është shenjë shumë inkurajuese që rritja ekonomike në Kosovë është rreth 6% , ose dyfishi i rritjes ekonomike nga viti paraprak.
 
Qeveria e Kosovës ka aplikuar politika që synojnë: rritjen ekonomike, uljen e shkallës së papunësisë, përmirësimin e kushteve sociale dhe zvogëlimin e varfërisë.
 
Në mënyrë që të jetë konkurruese me vendet e rajonit, Qeveria e Kosovës ka punuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
 
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë reforma në përshtatje të politikave që Kosova të arrijë nivelet e rritjes ekonomike të rajonit.
 
Këto reforma do te vazhdojnë edhe në vitet në vijim, me qëllim të krijimit të kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.
 
Kështu që taksat në profit të Korporatave është janë zvogëluar nga 20% në 10%.
 
Të ardhurat individuale mbi 450 euro nga 20 % në 10%, mbi 250 nga 10% në 8%  e tutje.
 
Por, edhe TVSH është për 1%, nga 15% në 16%.
 
Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e fokusuar ne këto fusha: Sundimi i Ligjit, Transporti, Energjia dhe Minierat, Edukimi, Bujqësia, Politikat Tatimore dhe Administrimi,  si dhe Sektori Financiar.
 
Buxheti i parë i Republikës së Kosovës, për vitin 2009, është hartuar sipas standardeve më të larta, duke pasur parasysh nevojat e të gjitha qytetarëve të Kosovës.
 
Ky buxhet është për mbi 15% më i lartë në krahasim me vitin paraprak, në saje të planifikimit të drejtë, kursimit dhe uljes së shpenzimeve në Qeveri, Presidencë dhe Kuvend.
 
Buxheti përcjell nevojat tona, tashmë si shtet i pavarur, dhe çon Kosovën drejt pavarësimit ekonomik.
 
Përkushtimi për ruajtjen e politikave të qëndrueshme makroekonomike dhe fiskale, implementimi më efektiv i shpenzimeve kapitale publike dhe shfrytëzimi i iniciativave të llojit të partneriteteve ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, ka qenë me rëndësi primare në punën e Qeverisë.
 
Po ashtu, Qeveria synon shfrytëzimin sa me racional të procesit të privatizimeve strategjike për të evituar ngecjet në zhvillimin ekonomik, të  shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm me energji – privatizimi i  furnizimit dhe distribucionit, si dhe ofertimi i Kosovës së Re – dhe potenciali i pashfrytëzuar i kapacitetit minerar.
 
Përvoja nga shtetet tjera, duke përfshirë shtetet fqinje, me probleme në furnizim me rrymë, rrjete të pamjaftueshme të distribucionit, dhe nivele të ulta të inkasimit dhe arkëtimit, ka dëshmuar se përfshirja e kapitalit privat në pronësinë dhe operimin e funksioneve të distribucionit në mënyrë të theksuar përmirëson kualitetin e shërbimit për të gjithë qytetarët.
 
Ne besojmë që privatizimi i Distribucionit të KEK-ut, do të shërbejë si një tregim suksesi për përfshirjen e kapitalit privat në zhvillimin e sektorit energjetik, dhe do të mundësojë investimet e mëtutjeshme private në miniera dhe gjenerim, duke përfshirë këtu edhe Kosovën e Re.
 
Do të jetë një model për të tërhequr shumë kompani ndërkombëtare private për të investuar në Kosovë.
 
Telekomi i Kosovës dhe VALA paraqesin asete tërheqëse, të afta për të nxitur interesim të madh, për të tërhequr kapital të konsiderueshëm privat, dhe për t’i ofruar Kosovës kapitalin dhe ekspertizën e shumë kërkuar për zhvillimin e infrastrukturës së saj.
 
 
Qeveria e Kosovës beson se ky privatizim nuk do të paraqesë një sukses vetëm për këtë proces, por gjithashtu do të nxisë dhe mundësojë edhe një numër të projekteve të mëdha në infrastrukturë.
 
Me privatizimin e shërbimeve të telefonisë, rruga e Kosovës drejt një prosperiteti më të madh ekonomik, dhe një niveli më te lartë të zhvillimit teknologjik vetëm sa do të përshpejtohet.
 
Procesi transparent dhe konkurrues i privatizimit do të sigurojë përfitimet më të mëdha për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të shërbejë si shembull për shumë investime private në të ardhmen.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik dhe të ekonomisë kosovare në përgjithësi.
 
 
Për këtë arsye, duke plotësuar iniciativat tjera të rëndësishme në sektorin e energjisë, Qeveria tani shqyrton mundësinë e zhvillimit të projektit ‘Hidrocentrali Zhur’.
 
Ky projekt e plotëson projektin prioritar për ndërtimin e “Termocentralit Kosova e Re”, që paraqet iniciativën më të rëndësishme të Qeverisë në sektorin energjetik.
 
Rritja e konsiderueshme e kapaciteteve gjeneruese të energjisë, diversifikimi i burimeve për prodhimin e energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit me energji dhe stabiliteti i sistemit elektro-energjetik janë argumente shumë të forta për ndërtimin e këtij hidrocentrali, që paraqet gati 50% të hidro- potencialeve të Kosovës.
 
Në këtë drejtim shkon dhënia me koncesion e aeroportit.
 
Për qeverinë mbetet prioritet implementimi i programit madhor të infrastrukturës së autostradave, bashkë me mirëmbajtjen dhe riparimin e rrugëve ekzistuese.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë plotësisht e përkushtuar që këtë projekt të qëndrueshëm nga aspekti ekonomik dhe mjedisor ta realizojë në bazë të standardeve më të përparuara.
 
Prioritet i Qeverisë është sundimi i ligjit, dhe në veçanti përmirësimi i efikasitetit të sistemit gjyqësor, luftimi kundër dukurive negative, korrupsionit, krimit të organizuar dhe të ekonomisë joformale, në tërësi.
 
Instalimi i qeverisjes së mirë, sundimi i ligjit, trnsparenca në punë, toleranca zero e qeverisë në luftë kundër korrupsionit, ka bërë që Kosova sot të jetë fundit në ranglistën e shteteve të rajonit për për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Kjo është meritë e të gjithëve.
 
Në sektorin e arsimit, ka ndodhur përmirësimi i vazhdueshëm dhe intensiv i infrastrukturës shkollore, programet mësimore bazë në të gjitha nivelet, përmirësimi i metodave të vlerësimit, fillimi i procesit të certifikimit për mësimdhënësit dhe zgjerimi i përdorimit të Teknologjisë Informative (TI) në shkolla.
 
Në sektorin e bujqësisë, zgjerimi i sistemeve të ujitjes dhe nisja e procesit të konsolidimit të tokave, për të shtuar produktivitetin dhe efikasitetin e sektorit të bujqësisë, vazhdojnë të jenë prioritetet kryesore.
 
Në kuadër të detyrimeve kushtetuese, një vëmendje e veçantë i është kushtuar: decentralizimit, fushës së sigurisë, krijimit të institucioneve të reja dhe minoriteteve.
 
Zbatimi i procesit të decentralizimit vazhdon te jetë në agjendën e Qeverisë, si një program ambicioz me përfitime të shumëfishta për popullin e Kosovës.
 
Të drejtat e komuniteteve dhe kthimi i qëndrueshëm i personave të zhvendosur  brenda vendit, janë çështje vitale në harmonizimin e strukturave sociale në Kosovën e pavarur.
 
Qeveria e Republikë së Kosovës ka themeluar Ministrinë e Punëve të Jashtme, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve diplomatike.
 
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me partnerët ndërkombëtarë kryesorë, vazhdon të jetë një ndër aktivitetet kryesore të Qeverisë.
 
Themelimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë hapa vendimtarë në historinë moderne të forcave të armatosura, për arritjen e standardeve bashkëkohore.
 
Arritja e këtyre standardeve do të krijojë bazë të sigurt për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
 
Qeveria vazhdon të jetë e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve rreth themelimit të Gjykatës Kushtetuese, plotësisht funksionale, e cila do të jetë garant i rendit kushtetues.
 
Në kuadër të fushës së Qeverisjes së mirë, Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar në: Reformën në Administratën Publike, Menaxhimin e Financave Publike, Luftimin e Korrupsionit, Përmirësimin e ekzekutimit të shpenzimeve kapitale.
 
Inicimi i Rishikimit Funksional të shërbimit civil është një kërkese pragmatike për te vendosur kritere dhe standarde për krijimin e një shërbimi civil modern e të aftë për t’iu përgjigjur me efikasitet sfidave me të cilat Kosova përballet.
 
Përshtatja e politikave të Qeverisë me BE-në është një proces i domosdoshëm për të siguruar synimin afatgjatë të Qeverisë, por njëherazi edhe aspiratën e popullit të Kosovës për integrimin evropian.
 
Qeveria e Kosovës i kushton vëmendje të posaçme përmirësimit të performancës së institucioneve qeveritare, që merren me mbledhjen dhe shpenzimin e parasë publike.
 
Përmirësimi i funksionimit dhe operimit të Administratës Tatimore dhe Doganore të Kosovës, vazhdon të jetë sfidë në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
 
Mirëqenia sociale dhe shërbimet shëndetësore vazhdojnë të jenë brengat e Qeverisë së Kosovës.
 
Pavarësisht kësaj, masat që ka ndërmarrë Qeveria, kanë ndikuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve pensionale, shëndetësore dhe në transfere tjera sociale.
 
Viti 2008 ishte viti i suksesit të institucioneve dhe popullit të Kosovës. Viti 2009 zotohemi që do të jetë viti i thellimit të suksesit të vendit tonë. 

Last modified: 29 Janar, 2009

Comments are closed.