Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zotimi dhe përkushtimi ynë për një shoqëri shumetnike nuk do të ndalen – kjo është në të mirë të Kosovës

22 Prill, 2009

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Tryezën “Përmirësimi i Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë”, organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike (PER)

Prishtinë, 22 prill 2009

E nderuara zonja Plaks,
E nderuara ambasadore Kaidanoë,
Të nderuar përfaqësues politik, të shoqërisë civile, diplomatë,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të bëjë hapjen e tryezës së sotme mbi marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

Fillimisht, dëshiroj ta falenderoj Projektin për Marrëdhënie Ndëretnike, zonjën Livia Plaks, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyeshme për të mundësuar një forum të hapur dhe të paanshëm për forcimin e dialogut midis komuniteteve në Kosovë.

Gjithashtu, më vjen mirë që shoh këtu në këtë tryezë përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, veçanërisht ata të komunitetit serb, me shumicën prej të cilëve kam punuar dhe marrë vendime për të ardhmen e Kosovës.

Qeveria të cilën e drejtoj unë është e përkushtuar për ndërtimin dhe kultivimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike. Si e tillë, Kosova është një vend i pavarur, demokratik dhe atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike.

Ndonëse ky mund të mos jetë ende niveli i dëshiruar, të gjitha komunitetet tashmë po marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Së bashku, kemi përmbushur shumë zotime për çështjet që lidhen me qasjen e barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët tanë.

Megjithë masat praktike për të realizuar synimet për një përfaqësim më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës, ne jemi të vetëdijshëm se ende mbetet punë për të bërë.

Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës po krijon kuota për mundësi të veçanta për punësim në institucionet qendrore dhe publike qeveritare.

Qëllimi ynë është të krijojmë më shumë vende të punës për komunitetet dhe të sigurojmë përfaqësimin e tyre të barabartë siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin mbi Mbrojtjen dhe Promovimin e Komuniteteve dhe veprimet e tjera afirmative.

Qeveria e Kosovës do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për të ndihmuar kthimin e komunitetit serb në Kosovë, në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Një shembull konkret i zotimit të Qeverisë është implementimi i projektit për kthimin dhe stabilizimin e komunitetit në Llapllasellë, ku 60 familje serbe do të kthehen për të jetuar.

Po ashtu, tash së fundi, kemi filluar një projekt të ri mbi stabilizimin e komunitetit në Novobërdë, ku 29 familje në gjendje të rëndë do të ndihmohen me shtëpi të reja.

Siç e dini, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me pushtetin komunal, ka ndërmarrë nismën për të financuar riparimin e qendrës së Klinikës Shëndetësore në Kamenicë e cila është djegur para pak kohësh.

Jemi të përkushtuar të ndërtojmë shtëpi të reja, ndërtesa, rrugë, foshnjore, ura e shkolla nëpër zonat me shumicë serbe.

Prioritet i yni do të jetë përmirësimi i arsimimit në trevat ku jetojnë komunitetet përmes ndërtimit të shkollave të reja; ofrimit të shërbimeve cilësore të shëndetësisë familjare por edhe spitalore.

Ofrimi i asistencës sociale do të jetë fokus i vazhdueshëm për ata që kanë më së shumti nevojë.

Gjithashtu jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore siç mund ta keni vërejtur, por jemi të interesuar që të investojmë edhe më shumë në rrugët lokale ku jetoni ju.

Një çështje me prioritet mbetet decentralizimi. Kjo është komponentë kyçe e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, i cili do të sigurojë shtrirjen e pushtetit dhe vendimmarrjes tek komunitetet. Ky proces është jetik për integrimin e serbëve në Kosovë.

Muajin e kaluar, në takimin e gjashtë të Grupit Ndërministror për Decentralizim, kemi marrë vendim që të shpallim formimin e Grupeve Përgatitore Komunale.

Në këto grupe do të jenë vetë qytetarët që do të ndihmojnë në formimin dhe funksionalizimin e komunave të reja. Për këtë kemi mbështetjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. 

Andaj, ju lutem, zonja e zotërinj inkurajoni komunitetin tuaj të bashkëpunojë dhe të kyçet në këtë proces shumë të rëndësishëm.

Qeveria që drejtoj unë vazhdon të kultivojë dialogun dhe mirëkuptimin ndëretnik.

Zotimi dhe përkushtimi për një shoqëri shumetnike nuk do të ndalen. Arsyeja është se kjo është në të mirë të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Për këtë qëllim, unë kam formuar Zyrën për Çështje të Komuniteteve pranë zyrës sime.

Kjo çështje kërkon një zotim dhe bashkëpunim serioz, për çfarë unë, si Kryeministër, jam i gatshëm për një angazhim edhe më të madh përmes institucioneve qeveritare për çështje që ndërlidhen me komunitetet.

Është me rëndësi që t’i shohim të arriturat dhe sfidat e Kosovës si një interes i përbashkët i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova demokratike synon të ndërtojë një vend për të gjithë qytetarët e saj.

Demokracia nënkupton pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zgjedhje dhe qeveri.

Prandaj, shfrytëzoj rastin që nga kjo tryezë, t’ju bëjë thirrje të gjitha komuniteteve në Kosovë, sidomos komunitetit serb, që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të marrë vendin që i takon në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.

Duke ju dëshiruar një diskutim të hapur dhe të frytshëm në tryezën e sotme, mirëpres të punojë me të gjithë ju për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova ka nevojë për vullnet të mirë nga të gjithë qytetarët e saj. Le të jemi të gjithë pjesë e vullnetit të mirë për Kosovën; vullnetit për vendin tonë dhe vullnetit për të ardhmen tonë të ndritur.

Ju faleminderit.

Last modified: 22 Prill, 2009

Comments are closed.