Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zgjedhjet janë një sprovë e re për shtetin e Kosovës, por kam besim të plotë se do t’i kalojmë me sukses të plotë

8 Nëntor, 2010

Prishtinë, 08 nëntor 2010
 

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim shefin e EULEX-it,  Xavier Bout de Marnhac, me të cilin ka diskutuar për  zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe për bashkëpunimin e ngushtë të  institucioneve  të Kosovës me autoritetet e EULEX-it.
 

Pas takimit kryeministri Thaçi ka thënë se janë këto takime pune pas vizitave dhe angazhimeve konkrete të z.Marnhac në veri dhe për vënien e sundimit të ligjit atje , që janë objektiva dhe qëllime të përbashkëta.
 

“E informova z.Marnhac edhe për procesin që po kalojmë si shtet, si popull, spektër politik dhe institucione për të organizuar zgjedhje të lira, transparente, demokratike, me një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me një përgjegjësi të lartë të gjithë spektrit politik”, pohoi z. Thaçi , duke shtuar se kjo është një sprovë e re për shtetin e Kosovës, por kam besim të plotë se do të kemi sukses të gjithë, një sukses ky i cili do të koordinohet me autoritetet ndërkombëtare, ICO-në, EULEX-in dhe me gjithë miqtë dhe partnerët tjerë ndërkombëtar prezent në Kosovë, por edhe me pjesëmarrjen e shumë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe autoriteteve vendore. Prandaj, është një konkludim i përbashkët se jemi në rrugë të mbarë për sukses të ri.
 

Ndërkaq shefi i EULEX-it,  Xavier Bout de Marnhac theksoi se EULEX-i do të  kujdeset për  aspektet e sigurisë në ditën e zgjedhjeve. “Do të monitorojmë Policinë e Kosovës nga afër, divizionin e gjyqësor për zgjedhjet, në mënyrë që të jemi të sigurt për këtë proces”, ka thënë Marnhac.

Më tutje z. Marnhac ka pohuar se Kosova ka një shans të mirë që ti tregojë opinionit të gjithëmbarshëm botëror se ka arritur pjekurinë që të zhvillojë proces të drejtë, të sigurt të zgjedhjeve duke respektuar rendin dhe ligjin.

Në një prononcim për media, pas takimit me shefin e EULEX-it, kryeministri Thaçi i ka drejtuar një mesazh urimi z. Isa Mustafa për zgjedhjen e tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Do të jemi konkurrent në projekte ide dhe vlera në shtet ndërtimin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Last modified: 8 Nëntor, 2010

Comments are closed.