Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zbatimi i decentralizimit nuk do të jetë proces i lehtë, por ne jemi të vendosur që përmes bashkëpunimit me popullatën të jetësojmë këtë projekt deri në fund

27 Janar, 2009

Prishtinë, 28 janar 2009
 
Në hapje të takimit kryeministri Thaçi ka vlerësuar progresin e arritur në procesin e decentralizimit në Republikën e Kosovës. “Përsëri jemi këtu për të shprehur përkrahjen e plotë për punën që është bërë deri tash në procesin e reformimit të pushtetit lokal”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky proces nuk shihet vetëm si obligim nga Pakoja e Ahtisaarit, por si nevojë e kohës për të integruar të gjithë qytetarët në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare.
 
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka përgëzuar grupin ndërministror dhe posaçërisht ministrinë e Pushtetit Lokal dhe shefin e  Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith.

“Decentralizimi është një proces i ndjeshëm për çdo vend, kjo po ndodh edhe në Kosovë“, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se institucionet e Kosovës kanë miratuar legjislacionin për avancimin e të drejtave të komunitetit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të cilat do të shndërrohen në veprime konkrete me qytetarët. Më tutje kryeministri Thaçi ka shprehur nevojën e ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare e cila deri tash nuk ka munguar.
 
“Zbatimi i decentralizimit nuk do të jetë proces i lehtë, por ne jemi të vendosur që përmes bashkëpunimit me popullatën të jetësojmë këtë projekt deri në fund”, ka pohuar kryeministri Thaçi dhe ka kërkuar përkrahjen e  Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të z. Piter Feith.

Last modified: 27 Janar, 2009

Comments are closed.