Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kryevepër e përpunimit të idesë së lirisë, mjet dhe projekt strategjik i realizimit të çlirimit të Kosovës

5 Mars, 2012

Prishtinë, 05.03.2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi mori pjesë në manifestimin qendror “Epopeja e UÇK-së”, e cila u mbajt në Kazermën ”Adem Jashari” në Prishtinë.

Po ju sjellim të plotë fjalimin e kryeministrit Thaçi

I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
Të nderuar zëvendëskryeministra
Ministra
Deputetë,
Drejtues të institucioneve të Republikës së Kosovës
E nderuara familje Jashari
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar oficerë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Ka ditë, ka orë ka minuta dhe sekonda kur historia koncentrohet me tërë peshën e saj mbi gjenerata të caktuara, personalitete, vende dhe hapësirë të caktuar.
 
Historia mijëvjeçare e Kosovës, përpunoi ardhjen e ditëve tashmë të njohura si Ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Janë ditët kur Kosova po trokiste seriozisht në portën e madhe të Lirisë.
 
Me një trimëri dhe sakrificë legjendare, me një vizion të qartë.
 
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po tregonte gatishmërinë dhe vendosmërinë e realizimit të ëndrrës shekullore të gatuar në zemrat dhe mendjet e secilit prej nesh, të gjitha gjeneratat.
 
Ëndrrat dhe idealet e stërgjyshërve tanë, të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me robërinë dhe sundimin e gjatë.
 
Por kjo ëndërr, tashmë kishte marrë konturat e një projekti të rëndësishëm duke sintetizuar vullnetin, vizionin dhe vendosmërinë e të gjithë brezave për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
 
Nuk ka vepër më madhështore se sa ajo e çlirimit të vendit.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kryevepër e përpunimit të idesë së lirisë, mjet dhe projekt strategjik i realizimit të çlirimit të Kosovës.
 
Ajo u bë mekanizmin më i fuqishëm për t’iu kundërvë makinerisë administrative, politike, diplomatike, policore dhe ushtarake të Beogradit.
 
Ajo kishte dalë nga thellësia e vullnetit të popullit dhe determinoi rrjedhat e historisë moderne të Kosovës.
 
UÇK-ja ishte ushtri moderne dhe e pamposhtur ashtu siç ishte përcaktimi i qytetarëve tanë për t’i dhënë fund shtypjes, djegieve, reprezaljeve dhe degradimit të mëtutjeshëm të jetës nën robëri.
 
Ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan më së miri se me çfarë çmimi ishin të gatshëm shqiptarët për ta fituar lirinë.

Burrat legjendarë të familjes Jashari, gratë dhe fëmijët, një lagje tërë u flijuan me heroizëm të rrallë në themelet e lirisë së Kosovës.
 
E gjithë kjo kryevepër u udhëhoq nga komandanti legjendar Adem Jashari.
 
Ata ia  dhuruan një model unikat të sakrifikimit për lirinë e shtrenjtë jo vetëm Kosovës dhe qytetërimit shqiptar, por mbarë njerëzimit.
 
Gjaku i tyre shenjtëroi themelet e lirisë. Pamjet e Prekazit legjendar hynë në kancelaritë e diplomacisë botërore, duke ndërkombëtarizuar dhe sensibilizuar çështjen e Kosovës në kryeqytetet e demokracisë botërore.
 
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare ndezi zjarrin e lirisë në të gjitha trevat e Kosovës.
 
Epopeja e UÇK-së bashkoj gjithë shqiptarët për lirinë e Kosovës, bashkoj gjithë botën demokratike në mbështetjen tonë.
Zjarri i lirisë u përhap kudo, në gjithë Kosovën.

Ditët e Epopesë së UÇK-së nuk reshtën deri më 12 qershor 1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht dhe së bashku me përkrahjen e botës demokratike nisi një fazë të re, atë shtetndërtimit të paqes dhe zhvillimit.
 
 
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ushtarë,

Çdo e arritur në Kosovën e lirë nuk mund të imagjinohet pa kontributin e dëshmorëve të lirisë, pa kontributin e dëshmorëve të lirisë, pa kontributin qytetar e civil të të gjithë atyre që kontribuon në të gjitha format e rezistencës.
 
Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, kudo që jetojnë në Kosovë apo diasporë.

Kosova është rrëfimi i suksesshëm, origjinal dhe unikat i çlirimit dhe pavarësisë, vepër gjeniale e qëndrueshmërisë, vizionit dhe përcaktimit të drejtë të qytetarëve të saj.
 
Më 17 shkurt 2008 Kosova kurorëzoi Pavarësinë – të arriturën  më të madhe politike,  juridike dhe diplomatike në historinë e qytetërimit dhe të ekzistencës së saj .
 
Prandaj, sot e gjithmonë si institucione dhe si qytetarë përulemi me respekt para emrit, jetës dhe veprës së dëshmorëve të lirisë dhe Jasharëve legjendarë.
 
Nderimi për të rënët është nderim shtetëror. Është energji dhe fuqi për të ardhmen.
 
Është nderim nga institucionet më të larta të shtetit të Kosovës, nga njësitet e Forcës së Sigurisë, njësitet e ushtrisë së Kosovës që një ditë të afërt do të jenë pjesë e forcave të NATO-s.
 
Në 14 vjetorin e Epopesë së UÇK-së Kosova  ka hyrë në fazën e përfundimit të Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë, duke dëshmuar pjekuri, përgjegjësi dhe aftësi shtetndërtuese.
 
Republika e Kosovës sot njihet nga 88 shtete, në mesin e të cilave qëndrojnë shtetet me demokracinë më të zhvilluar në botë, shtetet mike që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të arriturat tona të derisotme.
 
Me punën tuaj, me mendjen, vullnetin, angazhimin, djersën dhe përgjegjësinë tuaj të lartë qytetare dhe shtetërore, Kosova do të bëhet tregim i suksesshëm i fazës së tretë, asaj të integrimit në Bashkim Evropian dhe në NATO.
 
Kosova do të vazhdojë me vendosmëri të jetë e përgjegjshme në rrugën e saj euroatlantike, si shtet i qytetarëve të saj, në të cilin liria, barazia dhe sundimi i ligjit janë parime themelore të patejkalueshme.
 
Kosova do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, paqeje dhe shembull i fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë, duke justifikuar angazhimin e miqve dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme në drejtim të afirmimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
 
Edhe sot, në këtë katërmbëdhjetë vjetor të Epopesë së UÇK-së, më lejoni që në emër të shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, dhe NATO-n, për mbështetjen në procesin e lirisë, çlirimit, pavarësisë, dhe tash të integrimit në BE dhe NATO.

Katërmbëdhjetë vjetori i Epopesë së UÇK-së përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe flamurit kombëtar, me ç’rast urojmë që populli shqiptar  të lulëzojë dhe prosperojë edhe më shumë në mëvetësinë e tij njëshekullore, dhe të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian.
 
Trembëdhjetë vjet në Kosovën e lirë dhe katër vjet në Kosovën e pavarur janë të pamjaftueshëm për realizimin e të gjitha ëndrrave, por të mjaftueshëm për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin për të krijuar institucione të përgjegjshme, shoqëri bashkëkohore dhe shtet modern europerëndimor.
 
Lavdi Jasharëve!
Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë!

 
 

Last modified: 5 Mars, 2012

Comments are closed.