Prishtinë, 11 dhjetor 2009
Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e konsideron si një arritje të madhe të vendit tonë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe mbarëvajtjen e procesit në mënyrë të lirë dhe demokratike.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh konsideratë për angazhimin e plotë të subjekteve politike dhe kandidatëve garues në fushatën elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale të 13 dhjetorit dhe të shprehin bindjet e tyre përmes votës së lirë, si dhe të kontribuojnë për një proces zgjedhor të qetë, fer, demokratik dhe qe shpreh vullnetin e tyre te lirë.
Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet drejtpërdrejtë dhe përmes bashkërendimit me institucionet e pavarura që procesi të ketë mbarëvajtje të rregullt, që ai të jetë në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat demokratike dhe që vullneti i qytetarëve të shprehet në rezultatin zgjedhor.
Ftojmë të gjithë qytetarët, subjektet politike dhe zyrtarët e tyre, komisionerët dhe vëzhguesit e secilit subjekt dhe, në veçanti, vëzhguesit e pavarur që të japin kontributin e tyre dhe të kryejnë detyrat me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje me ligjin dhe kodin e etikës zgjedhore, në mënyrë që Kosova të realizojë zgjedhje të lira dhe të vazhdojë të jetë shembull i mirë në rajon dhe për botën demokratike.
Po ashtu, ftojmë institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë që të japin maksimalisht kontributin e tyre përmes vëzhgimit të procesit zgjedhor dhe sugjerimeve të tyre, në mënyrë që zgjedhjet të jenë në përputhje me pritjet e qytetarëve tanë dhe me standardet demokratike të botës zë zhvilluar.
Konsiderojmë se në proceset që po kalon Kosova, ka nevojë edhe për një shembull të mirë që tregon pjekurinë tonë shtetërore dhe shembullin e funksionimit te shtetit tonë modern dhe demokratik.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shpreh bindjen se procesi do të jetë transparent dhe fer, se qytetarët do të japin shembullin demokratik dhe se subjektet politike garuese do ta kalojnë me sukses këtë proces, i cili gjithsesi do të jetë sukses i madh për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Last modified: 11 Dhjetor, 2009