Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Të gjithë së bashku po bëjmë nderime shtetërore për sakrificën e madhe të të gjithë shqiptarëve për çlirimin e Kosovës

16 Shkurt, 2013

Prishtinë, 16 shkurt 2013

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurorë lulesh pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së,  Adem Jashari në Prekaz, me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast kryeministri Thaçi  tha se të gjithë të bashkuar në këtë vizitë do të marrin energji dhe përkushtim për angazhimet e mëtutjeshme shtetërore.

“Jemi sot këtu të gjithë së bashku për të nderuar jetën e veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari, sakrificën e gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranëve, invalidëve, sakrificën e gjithë qytetarëve të vendit.
Jemi sot këtu të gjithë së bashku që të bëjmë nderime shtetërore për këtë sakrificë të madhe, sakrificë të unitetit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve, për çlirimin e Kosovës, por në të njëjtën kohë jemi këtu të gjithë së bashku edhe që të marrim energji dhe përkushtim  në angazhimet tona të ardhshme  për integrimin e shtetit të Kosovës në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian” tha kryeministri Thaçi.

Më pas, nderime janë bërë edhe tek përmendorja e Mujë Krasniqit në Klinë, për të vazhduar me nderime te përmendorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë, tek kulla e Haradinajve në Gllogjan, si dhe tek komplekset e varrezave në Landovicë dhe Reçak.

Nderimet kanë përfunduar në Prishtinë, ku më parë janë vendosur lule tek përmendorja e Zahir Pajazitit, e më pas vizita ka përfunduar me vendosjen e luleve tek varri i ish- presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

“Jemi sot të gjithë së bashku që me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë të nderojmë jetën dhe veprën, angazhimin shumë vjeçar si udhëheqës i lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Sot bëjnë këtë nderim institucionet e shtetit, nderon shteti i Kosovës për atë përkushtim, për atë angazhim shumë vjeçar në lëvizjen për liri dhe pavarësi prandaj respektojmë sakrificat e gjithë kontribuuesve, në kuadër të kësaj edhe të Presidentit Ibrahim Rugova si një udhëheqës shumëvjeçar i kësaj lëvizje” ka thënë kryeministri Thaçi.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.