27 qershor 2008
Në ditën e dytë të Forumit të Krans Montanës, që po mbahet në Monako, Kryeministri i Republikës së Kosovës mbajti një referencë në temën “Perspektiva e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë”.
Në referimin e tij Kryeministri Thaçi duke folur për shpalljen e pavarësisë ka theksuar se kjo ka qenë zgjidhja e vetme e drejtë për statusin politik të Kosovës. Shpallja e pavarësisë është bërë në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare dhe pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon. Shteti i Kosovës tashmë i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa dërmuese e vendeve të BE, NATO-s po funksionon në përputhje me kushtetutën moderne.
Në vijim Kryeministri Thaçi ka falënderuar të gjitha ato shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe iu bëri apel edhe përfaqësueseve të shteteve tjera nga e gjithë bota që ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse një gjë e tillë është në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe më gjerë.
“Të drejtat e komuniteteve janë fokus i veçantë i institucioneve të Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me planin e Ahtisarit, të gjitha komunitetet në Kosovë do të kenë të drejta të barabarta, ndërsa, disa të drejta të dizajnuara për komunitetin serb, në aspektin e trashëgimisë kulturore, religjioze etj. janë unike. Rezultat i kësaj qasjeje është pjesëmarrja e tyre në jetën institucionale të Kosovës (qeveri, parlament)”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Zhvillimi ekonomik dhe potenciali që disponon Kosova ishte thelbi i referimit të Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Hashim Thaçi: “Kosova tashmë ka vënë bazat e shëndosha të një ekonomie të hapur të tregut dhe ka krijuar infrastrukturën adekuate ligjore, e cila mundëson investime serioze dhe rritje ekonomike. Prandaj, të gjithë investitorët duhet ta konsiderojnë Kosovën një vend ideal për investime në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e energjisë, minierave, infrastrukturës, bujqësisë etj…
Prioritet tjetër i qeverisë së Republikës së Kosovës është anëtarësimi në institucionet financiare ndërkombëtare. Kjo do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm. Qeveria e Kosovës ka adaptuar një politikë të zero tolerancës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjithë investitorët që janë të interesuar për të investuar në Kosovë nga tërë bota, janë të mirëseardhur dhe do ta kenë mbështetjen e plotë të qeverisë së Kosovës. E ardhmja e Kosovës tashmë është e sigurt – anëtarësimi në BE dhe NATO, do t’i sjellë Kosovës më shumë paqe, stabilitet, rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët e saj” ka thënë kryeministri Thaçi.
Në forumin e Krans Montanës, kryeministri Thaçi, shoqërohet nga ministri i Postë-Telekomunikacionit dhe Transportit Fatmir Limaj.
Përpos pjesëmarrjes zyrtare në këtë Forum, Kryeministri i Kosovës po zhvillon shumë takime informale me përfaqësues të shteteve nga vende të ndryshme të botës.
Last modified: 27 Qershor, 2008