Prishtinë, 12 dhjetor 2008
Në fjalën e hyrjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar angazhimin e kabinetit qeveritar gjatë javës së kaluar në përmbushjen e objektivave të qeverisë dhe ka prezantuar emërimin e Behxhet Brajshorit në postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Jonuz Kastratit në postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Kryeministri Thaçi ka përshëndetur emërimin e tyre dhe ju ka uruar punë të mbarë.
Qeveria ka shqyrtuar kërkesën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur për të angazhuar staf shtesë në punën e këtij komisioni që do të rris efikasitetin e punës së këtij komisioni në zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit.
Me aprovimin e Strategjisë për Qeverisje Elektronike 2009-2015, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kosova pretendon të jetë vendi i parë në rajon dhe në mesin e dhjetë vendeve të Evropës që do të funksionalizojë qeverisjen elektronike.
“Qeverisja elektronike ka qenë një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës që nga dita e parë dhe kjo do të jetë edhe një shtyllë e fuqishme për zhvillimin e vendit”, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi.
Qeverisja elektronike do të nënkuptojë ofrimin e shërbimeve të institucioneve qeveritare përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për qytetarët, bizneset dhe kategoritë tjera.
“Qeverisja elektronike është qeverisja e mirë” është shprehur ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami pas aprovimit të kësaj strategjie.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar nëntë projektligje:
– Projektligjin për të huajt, që rregullon hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.
– Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shëndetësi që është amandamentuar në përputhje me Pakon e Ahtisarit
– Projektligjin për Auditimin e Brendshëm që rregullon veprimtarinë e auditimit të brendshëm në sektorin publik, si dhe përcakton fushën e veprimit, objektivat, parimet, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë. Ky projektligj zbatohet në të gjitha subjektet e sektorit publik të Kosovës, veprimtaria e të cilave mbështetet në pronën publike e që gjatë funksionimit të tyre përdorin fonde publike nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, nga organizmat ndërkombëtare apo fonde të përfituara në formë të bashkëfinancimit.
– Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2004/17 për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Këto ndryshime do të funksionalizojnë dhe do të rrisin efikasitetin dhe zbatueshmërin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
– Projektligjin për Rezervat Shtetërore të Mallrave i cili vendosë bazën juridike dhe administrative të procedurave për krijimin, financimin, sigurimin, deponimin, ruajtjen, përdorimin, menaxhimin, përtëritjen dhe shpërndarjen e rezervave shtetërore të mallrave në Republikën e Kosovës.
– Projektligjin për Gjykatën Kushtetuese me të cilin rregullohet organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave pranë Gjykatës Kushtetuese, kushtet dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
– Projektligjin për Këshillin e Përkohshëm Gjyqësor të Republikës së Kosovës si një zgjidhje të përkohshme për bartjen e kompetencave në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë.
– Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës që do të vendosë bazën ligjore për krijimin e kushteve dhe kritereve lidhur me ndërtimin e Shërbimit të Jashtëm, mënyrën e funksionimit të organeve përbërëse të këtij shërbimi, bashkërendimi me strukturat e tjera me ndikim në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe rregullimi i statusit dhe personelit të misionit diplomatik.
– Projektligjin për Shërbimin Konsullor të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës. Hartimi dhe miratimi i këtij ligji është një nevojë urgjente për krijimin e bazës ligjore për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar propozimin e Ministrisë së Shërbimeve Publike për transformimin dhe reformimin e kësaj ministrie. Sipas këtij propozimi, Ministria e Shërbimeve Publike do të transformohej në Ministri të Administratës Publike dhe brenda tre muajsh do të përgatis projektin për misionin dhe detyrat e kësaj ministri. Qeveria në parim e ka mbështetur këtë iniciativë dhe ka kërkuar që të vazhdohet me diskutimin ndërministror në transferimin e përgjegjësive të kësaj ministrie gjatë transformimit të saj.
Last modified: 12 Dhjetor, 2008