Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi sot në Nju Jork në takimin me Zëvendëskryeministrin e Tajlandës, Dr. Surapong Tovichakchaikul pranoi edhe zyrtarisht njohjen nga shteti i Tajlandës

26 Shtator, 2013

Prishtinë, 26 shtator 2013

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot në Nju Jork në takimin me Zëvendëskryeministrin dhe njëherit Ministrin e Jashtëm të Tajlandës, Dr. Surapong Tovichakchaikul pranoi edhe zyrtarisht njohjen nga shteti i Tajlandës.

Zëvendëskryeministri i Tajlandës ia konfirmoi Kryeministrit të Kosovës se Qeveria e Tajlandës ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës me datë 24 shtator 2013.

Sipas zëvendëskryeministrit tajlandez ky vendim është marrë në shenjë respekti dhe përkrahje për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Tajlandë, si dhe për sferat në të cilat dy shtetet mund të bashkëpunojnë.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, Kryeministri Thaçi e falënderoi Zëvendëskryeministrin Tovichakchaikul për njohjen që Tajlanda i bëri Kosovës.

Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministri Tovichakchaikul u pajtuan që edhe formalisht të fillojnë marrëdhëniet diplomatike bilaterale në mes të dy shteteve.

Pas vendosjes se marrëdhënieve diplomatike, qeveritë e dy shtetet do të fillojnë takimet më të shpeshta bilaterale, dhe do të identifikojnë fushat e interesit të përbashkët të bashkëpunimit. 

Last modified: 26 Shtator, 2013

Comments are closed.