Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Shtetin po e ndërtojmë mbi bazën e luftës që e bëmë në Kosovë

7 Mars, 2012

Prishtinë, 7.3.2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, në ditën e tretë të “Epopesë së UÇK-së”, vazhdoi homazhet tek varrezat e dëshmorëve dhe shtatoret e luftëtarëve të lirisë nëpër shumë qytete të Kosovës.

I shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit të tij, ndalesën e parë kryeministri Thaçi e bëri në Reçak, në vendin që i dërgoi komunitetit ndërkombëtarë mesazhin më të qartë për krimet që po i bënte ushtria dhe policia serbe.

“Reçaku gjithmonë ka dërguar mesazhin e unitetit politik dhe qytetar, mesazhin e afrimit të komunitetit ndërkombëtar me Kosovën, dhe ne nderojmë me respektin më të lartë shtetëror gjithë heronjtë e lirisë, gjithë dëshmorët, gjithë ata që ranë në istikame të luftës, dhe ata që ranë si pishtarë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës” theksoi kryeministri Thaçi me këtë rast.

Kryeministri Thaçi nderoi edhe komandantin e UÇK-së të kësaj ane, komandant Ahmet Kaçiku, i cili ra heroikisht duke mbrojtur qytetarët.

Me nderime shtetërore, u kujtuan edhe dëshmorët e lirisë, Naim Beka, Driton Islami, Kemajl Hetemi, Agim Bajrami, Gursel dhe Bajram Sylejmani, Agim Ramadani, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ku u vendosën lule.

Në kuadër të vizitave komplekseve të varrezave të dëshmorëve, kryeministri Thaçi u ndal edhe tek ato që gjenden në Ferizaj. Me këtë rast, kryeministri theksoi se përveç nderimit të së kaluarës, këto vizita shërbejnë edhe për marrjen e energjive për të fuqizuar edhe më shumë vizionin për të ardhmen, që të punohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Tash po e konsolidojmë shtetin tonë, shtet që po e ndërtojmë mbi bazën e luftës që e kemi zhvilluar si Kosovë, duke respektuar gjithmonë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, gjakun e derdhur për liri, duke respektuar sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës që e dhanë për shtetin e pavarur dhe sovran, sakrificën edhe të diasporës që ndihmuan lirinë e Kosovës. Unë kam besim të plotë se duke respektuar këtë sakrificë të jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, të dëshmorëve, ne do të vazhdojmë suksesshëm edhe në të ardhmen” tha kryeministri Thaçi.

Më pas, vizita u bënë edhe tek varrezat e dëshmorëve në Kaçanik e Viti, duke përfunduar në kompleksin e dëshmorëve që po ndërtohet në Gjilan.

Kryeministri Thaçi tha se “Epopeja e UÇK-së” po shënohet në kohën kur shënohet edhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar. Kjo festë ka domethënien e vet sepse ka qenë një rezistencë shekullore për të kulmuar me rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin definitiv të Kosovës nga Serbia, tha z.Thaçi.

“Sot secili nga ne për një moment rikujton të kaluarën, gjithë atë sakrificë të jashtëzakonshme dhe sot jemi këtu tek Varrezat e Dëshmorëve, tek varrezat e Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe dëshmorëve tjerëve, që sakrifikuan gjithçka nga vetja për lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Prandaj ne duke respektuar të kaluarën rrisim përgjegjësitë për të ardhmen për tu integruar në NATO dhe BE”, theksoi kryeministri Thaçi duke premtuar se konsolidimin dhe forcimin e shtetit dhe njohje të reja.

“Dëshmorët janë ata që gjithmonë na kanë bashkuar, prandaj sot është një ditë e bashkimit, fuqizimit por edhe ditë për reflektim për vizionin tonë perëndimor”, tha kryeministri Thaçi.

Z. Thaçi me këtë rast ka falënderuar autoritetet komunale për punën e bërë në rregullimin e kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan.

Last modified: 7 Mars, 2012

Comments are closed.