Prishtinë, 15 qershor 2010
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:
I nderuar z.Kermabo,
I nderuar ministër Shala,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Kam kënaqësinë që sot së bashku me z.Kermabon, ministrin Shala, të nënshkruajmë Memorandumin e Mirëkuptimit për Transferin e Qendrës së Inteligjencës Financiare të EULEX-it, në Njësinë e Inteligjencës Financiare të Republikës së Kosovës.
Memorandumi i Mirëkuptimit për Transferin e Qendrës së Inteligjencës Financiare te ministria e Ekonomisë dhe Financave, tregon për përgatitjen dhe zotimin tonë për të luftuar të gjitha veprat, të cilat kanë të bëjnë me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit.
Ne do të punojmë për parandalimin e këtyre veprave falë kompetencave ligjore të cilat i kemi, kompetenca këto, të cilat presin aprovimin në Parlament, dhe, Njësinë që do ta bartim sot, në kompetencë të Qeverisë së Kosovës.
Me bartjen e autoritetit nga Qendra e Inteligjencës Financiare, në Njësinë e Inteligjencës Financiare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të kemi një koordinim më të mirë të mundshëm të institucioneve të obliguara të raportojnë.
Ne jemi pajtuar dhe kemi marrë përsipër që përmes këtij memorandumi, do të kemi në pronësi të gjitha informatat, arkivin, bazën e të dhënave, por edhe dokumentet të tjera, të cilat i ka pasur deri më tani në kompetencë Qendra e Inteligjencës Financiare nën kompetencë të UNMIK-ut e më vonë në kompetencë të EULEX-it.
Po ashtu, jemi pajtuar që stafi që është pjesë e Qendrës së Inteligjencës Financiare të EULEX-i, do të vazhdojë të jetë pjesë e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës.
Bartja e autoritetit, është vazhdimësi e bartjes së komtencave nga KFOR-i tek Policia e Kosovës, për ruajtjen e kufijve shtetëror, domethënë bartja e kompetencave nga EULEX-i tek Qeveria e Kosovës.
Kjo dëshmon se shteti i ynë, Republika e Kosovës, Qeveria e saj, janë të gatshme të udhëheqin të gjitha segmentet e një shteti modern, në përkushtimin tonë për rend, sundim të ligjit dhe ndërtim të shtetit demokratik.
Last modified: 15 Qershor, 2010