Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Shteti i Kosovës do t’i ketë aksionet e veta substanciale në projektin energjetik “Kosova e Re”

20 Janar, 2010

Prishtinë, 20 janar 2010

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së parë të konferencës ndërkombëtare për investitorë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, mbajti një konferencë shtypi.

Fillimisht kryeministri Thaçi falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore, USAID-in, Komisionin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë participimin e vetë në këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për sektorin energjetik të Republikës së Kosovës për të ardhmen.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin e Kosovës. Është konferenca ndërkombëtare për investitorët ku po marrin pjesë investitorë jashtëzakonisht të fuqishëm për interesimin e tyre për projektin energjetik “Kosova e Re”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se, Kosova si shtet ka krijuar një ambient jashtëzakonisht kreativ dhe të sigurt për investitorët.

Më tutje, z.Thaçi premtoi se i gjithë procesi do të jetë i hapur, legal, transparent, në kuptimin e prezantimit dhe përfaqësimit, por edhe të inkurajimit të investitorëve të fuqishëm botëror për të investuar në sektorin energjetik të Republikës së Kosovës.

“Viti 2010 do të jetë vit i rëndësishëm i marrjes së vendimeve për projektet shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe perspektivës së sigurt zhvillimore të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi

Në pyetjen se sa do të jetë Qeveria e Kosovës pjesëmarrëse në aksionet e këtij projekti, kryeministri Thaçi konfirmoi shteti i Kosovës do t’i ketë aksionet e veta substanciale.

Last modified: 20 Janar, 2010

Comments are closed.